Ndërlidhjet

Referendumi për migrantët - goditje për Orbanin

  • RFE /RL

Foto arkivi

Foto arkivi

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shpalli fitore në referendumin e së dielës mbi kutotat e detyrueshme të Bashkimit Evropian për migrantët, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët që e bën atë të pavlefshëm.

Gati 98 përqind e atyre që kanë marrë pjesë, kanë mbështetur thirrjet e qeverisë për të refuzuar planin e BE-së.

”Nuk është sekret. Kam votuar me ‘jo’. Nuk do të doja që migrantët të vijnë këtu”, tha një qytetare hungareze me emrin Erzsebet Leszak.

Pjesëmarrja në referendum ka qenë 43 përqind, ndërsa për të qenë i vlefshëm duhet së paku 50 përqind.

Një zëdhënës i qeverisë tha se rezultati është i detyrueshëm “politikisht dhe ligjërisht”, por, sipas opozitës, qeveria nuk e ka pasur mbështetjen e nevojshme.

Orban u bëri thirrje vendimmarrësve të BE-së që të marrin parasysh rezultatin dhe tha se do të ndryshojë Kushtetutën e Hungarisë për ta bërë vendimin të detyrueshëm.

Plani i diskutueshëm i BE-së për të rivendosur 160,000 migrantë nëpër vendet anëtare do të kërkonte nga Hungaria që të pranojë 1,294 azilkërkues.

“Brukseli nuk mund ta detyrojë Hungarinë”, tha Orban para mbështetësve në Budapest.

Ferenc Gyurcsany, udhëheqës i opozitës Koalicioni Demokratik, tha se pjesëmarrja e ulët tregon se shumica e nejrëzve nuk e kanë mbështetur qeverinë.

“Në bazë të këtij rezultati, që tregon pjesëmarrje të ulët, njerëzit nuk e mbështesin qeverinë. Dhe, kjo është mirë. Çështja e migrantëve i tejkalon kufijtë e Hungarisë”, tha Gyurcsany.

Gjatë krizës me migrantë, vitin e kaluar, Hungaria është bërë shtet tranzit në rrugën nga Ballkani Perëndimor për në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.

Në përpjekje për të frenuar fluksin, ajo ka mbyllur kufijtë me Serbinë dhe Kroacinë. Kjo masë ka qenë popullore brenda Hungarisë, por është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut.

Votuesit në referendum janë pyetur: “A dëshironi që Bashkimi Evropian ta bëjë të detyrueshme rivendosjen e qytetarëve johungarezë në Hungari, madje edhe pa miratimin e Asamblesë Kombëtare?”

Plani i BE-së ka për qëllim të lehtësojë presionin mbi Greqinë dhe Italinë, dy pika kryesore hyrëse të migrantëve dhe refugjatëve në bllok.

Analistët thonë se rezultati i referendumit është goditje për Orbanin.

“Gjasat kanë qenë shumë të mëdha; ata kanë udhëhequr fushatë të ashpër për disa muaj. Secili ka menduar se Orbani mund të ketë sukses, por ky është dështim për të”, tha për gazetën “Guardian” Robert Laszlo, specialist për zgjedhjet në Institutin Politik në Budapest.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG