Ndërlidhjet

SHBA suspendon bisedimet me Rusinë për Sirinë


Ilustrim
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë suspenduar bisedimet me Rusinë për dhënien fund të dhunës në Siri.

Përmes një deklarate për media më 3 tetor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby ka akuzuar Rusinë dhe Srinë se kanë intensifikuar sulmet në zonat e banuara me civilë.

“Rusia dhe regjimi sirian kanë zgjedhur të ndjekin kursin ushtarak, që është në kundërshtim me ndërprerjen e armiqësive. Kjo gjë dëshmohet nga intensifikimi i sulmeve në zonat e civilëve, duke pasur për cak infrasktrukturë kritike siç janë spitalet, dhe parandalimin e arritjes së ndihmave për civilët në nevojë”, ka thënë Kirby.

“Ky vendim nuk ishte i lehtë për tu marrë”, ka thënë tutje ai.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudaeu, ka thënë se pavarësisht suspendimit të bisedimeve, komandantët e ushtrisë së SHBA-së dhe Rusisë janë në kontakt me qëllim që të shmangen incidentet apo edhe ndonjë konflikt të mundshëm në mes të dyja shteteve në zonën ajrore të Sirisë.

Si pjesë e këtij vendimi për suspendim për bisedimet, SHBA ka thënë se do të tërheq personelin që e kishte dërguar për krijimin e mundshëm të një qendre të përbashkët SHBA-Rusi. Kjo qendër ishte paraparë që të koordinonte bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës, nëse marrëveshja e armëpushimit do të respektohej.

XS
SM
MD
LG