Ndërlidhjet

Hussein kërkon që të ndalohet përdorimi i vetos për Sirinë


 Zeid Ra’ad Al Hussein
Zeid Ra’ad Al Hussein

Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje për “hapa të jashtëzakonshëm” për të ndalur “dhunën dhe shkatërrimin” në Alepo të Sirisë, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që të vendos disa limite lidhur me përdorimin e vetos nga vendet anëtare.

Këshilli i Sigurimit duhet të “adoptojë kritere që ua ndalojnë vendeve anëtare të përdorin veto në çështje serioze si krimet e luftës, krimet kundër njerëzit apo edhe gjenocidit”, ka thënë përmes një deklarate për media komisioneri Zeid Ra’ad al-Hussein.

Ky kufizim për përdorimin e vetos nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit do të mundësonte që situata në Siri të adresohej në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në Hagë, ka shtuar Hussein.

Përpjekje për propozime të tilla në Këshillin e Sigurimit, kanë shtyrë Rusinë që të përdorë veton.

Qyteti i Alepos që prej prishjes së armëpushimit dy javë më parë, është duke u bombarduar rëndë.

Më 3 tetor, Shtetet e Bashkuara kanë suspenduar bisedimet me Rusinë për Sirinë. SHBA ka akuzuar Moskën se “nuk i është përmbajtur zotimeve” të marrëveshjes së armëpushimit.

Në anën tjetër Moska ka thënë se SHBA po mundohet që t’ia hedhë fajin Rusisë për prishjen e armëpushimit.

XS
SM
MD
LG