Ndërlidhjet

logo-print

Srebrenicën mund ta udhëheqë një serb, mohues i gjenocidit


Mladen Grujiçiq

Mladen Grujiçiq

Autore: Xhenana Halimoviq, Radio Evropa e Lirë

Në gjithë botën, Srebrenica është shndërruar në një ‘legjendë’ moderne të gjenocidit.

Por, aktualisht, për të parën herë që prej luftës brutale në periudhën 1992-95, në Bosnjë Hercegovinë, në këtë qytet për prefekt do të shpallet personi që refuzoi të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur një akt i gjenocidit.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 2 tetorit, 34 vjeçari Mlladen Grujiçiq, serb i Bosnjës, është në proces që të bëhet kryetar i ardhshëm i qytetit.

Rrjedhimisht, shumë banorë lokalë dyshojnë se ai do të bëjë ndonjë gjë për t’i shëruar plagët ende të freskëta të Srebrenicës.

Srebrenica, që gjendet në komponentën e dominuar nga serbët në shtetin dypjesësh multietnik të Bosnjës, është reflektim i këtij vendi si i tërë, megjithse pothuajse është e ndarë ndërmjet komunitetit mysliman boshnjak dhe atij të serbëve të Bosnjës, që jetojnë në afërsi me ankth.

Zoti Grujiçiq ishte mbështetur nga të gjitha 10 partitë politike serbe dhe grupet e komuniteteve, derisa kryetari i deritashëm i qytetit, Qamil Durakoviq, e kishte mbështetjen unanime të boshnjakëve.

Durakoviq, 37 vjeçar, që i kishte shpëtuar masakrës, ende nuk e ka pranuar disfatën, megjithse rezultatet e para tregojnë se ai i ka 31%, ndërsa Grujiçiq – 67%.

Ai shpreson se pas numërimit të fletëvotimeve me postë, rezultati mund të ndryshoj. Rezultatet finale nuk priten deri në fund të kësaj jave.

A do të thotë ai “gjenocid”

Hija e së kaluarës shtrihet gjërësisht mbi Srebrenicën.

Gjatë disa ditëve në korrik të vitit 1995, militantët serbë të Bosnjës, të komanduar nga Ratko Mlladiq, i kanë ekzekutuar afro 8 mijë burra e djem myslimanë të këtij qyteti, në masakrën më të tmerrshme prej Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Kjo masakër shënohet çdo vit më 11 korrik.

Duke folur më 2 tetor para votuesve, Mlladen Grujiçiq, pati thënë:

“Kurrë nuk kam problem të përkulem para çdo viktime, kështu që nuk do të ketë problem për shënimin e 11 korrikut (data kur kujtohet masakra). Komuna do ta ndihmoj edhe mëtutje shënimin e 11 korrikut aq sa të mundet”, tha Mlladen Grujiçiq.

Por, ky premtim, duket se nuk mund t’i zbusë shqetësimet pas fushatës së gjatë njëmujore, në të cilën Grujiçiq e pati refuzuar shprehjen “gjenocid”, me të cilën Gjykata për Krime të Luftës e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka klasifikuar masakrën në Srebrenicë.

Grujiçiq, po ashtu, e kishte pranuar edhe mbështetjen e liderit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i cili është liruar nga akuzat për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata në Hagë në muajin mars. Prej atëherë atij i është ndaluar hyrja në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

“Pozicioni im është i qartë. Gjithnjë kam thënë se ajo që ka ndodhur në Srebrennicë ishte krim i tmerrshëm kundër popullatës së Bosnjës dhe se, po ashtu, ka pasur krime të tmerrshme kundër popullatës serbe në Bosnjë”, i pat thënë Grujiçiq, Radios Evropa e Lirë, në muajin prill të këtij viti.

Babai i Grujiçiqit është vrarë duke i mbështetur forcat serbe gjatë luftës në Bosnjë.

“Krimet këtu janë kryer kundër të dy komuniteteve”, i tha Grujiçiqi agjencisë AFP pas zgjedhjeve, duke shtruar pyetjen se “a do të kemi jetë më të mirë në Srebrenicë nëse ne themi se ishte gjenocid”?

Çka do të ndodhë me Potoçarin?

Në muajin maj, organizata joqeveritare, Nënat e Srebrenicës, e kishte publikuar një letër të hapur, në të cilën ka shprehur dyshime për kandidaturën e Grujiçiqit dhe çka do të thoshte kjo për memorialin e gjenocidit dhe për varrezat në Potoçari.

“Ne jemi të frikësuara, pasi një person i ri, i quajtur Mlladen Grujiçiq, po garon për kryetar të komunës, derisa njëherësh thotë se kurrë nuk do ta njohë gjenocidin. Ai është një i ri i cili shpreh dyshime për luftën në të cilën janë vrarë djemtë tanë. Ne jemi të frikësuara pasi ai mund të fitojë për shkak të lojërave politike në prapaskenë. Çka do të ndodhë atëherë me fëmijët tanë dhe shtëpitë e tyre të reja në Potoçari”? – kanë shkruar Nënat e Srebrenicës.

Kryetari i deritashëm i Srebrenicës, Qamil Durakoviq, ka shprehur shqetësim se zgjedhja e Grujiçiqit do të ndikoj që “numri i vogël i boshnjakëve, që aktualisht janë kthyer në qytet” përsëri të largohen.

Mëtutje , duke e përshkruar politikën e Grujiçiqit, Qamil Durakoviq thotë:

“Nëse ju si individ e madhështoni kriminelin e luftës (Ratko Mlladiq) dhe me fotografinë e tij paraqiteni publikisht dhe nëse fushatën tuaj gjatë 10-15 ditëve e ka udhëhequr Vojsillav Shesheli, atëherë nëse jeni boshnjak që e ka mbijetuar gjenocidin, kjo flet mjaft se sa ai është i gatshëm për të punuar për interesin e të gjithë qytetarëve”, tha Qamil Durakoviq.

Analisti politik në Sarajevë, Sërgjan Puhallo, ka shprehur dyshime të ngjashme.

“Nëse serbët vijnë në pushtet në Srebrenicë, ne e dimë se çfarë qasje për masakrën kanë ata dhe se si ata do t’i trajtojnë viktimat e asaj që ata e quajnë krim i rëndë, ndërsa boshnjakët e quajnë gjenocid”, i tha Radios Evropa e Lirë, analisti Puhallo.

Aktualisht, në Bosnjë Hercegovinë tensionet janë të larta për shkak të referendumit të mbajtur në Republikën Serbe për “festën kombëtare”. Këtë referendum, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka vlerësuar si jolegjitim.

Në referendumin e mbajtur në muajin shtator, votuesit me shumicë të madhe kanë votuar për shënimin e festës kombëtare më 9 janar, që është dita kur është shpallur deklarata e njëanshme e pavarësisë nga Bosnja.

Bosnjë Hercegovina përbëhet nga federata Myslimano-kroate dhe Republika Serbe. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG