Ndërlidhjet

Rusia përplas kandidatët për nënpresident të SHBA-së

  • RFE /RL

Guvernatori republikan i Indianas, Mike Pence dhe senatori demokrat i Virxhinias, Tim Kaine.

Guvernatori republikan i Indianas, Mike Pence dhe senatori demokrat i Virxhinias, Tim Kaine.

Kandidati republikan për nënpresident të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, tha se SHBA duhet të përdorë forcën ushtarake kundër objektivave të Qeverisë së Sirisë, nëse Rusia vazhdon “sulmet barbare në Alepo”.

Ai i bëri këto komente në debatin e parë televiziv me kundërkandidatin demokrat, Tim Kaine.

Komentet e zotit Pence për mundësinë e përdorimit të forcës amerikane, për të ndaluar ofensivën e përbashkët të Sirisë dhe Rusisë në Alepo, shkuan përtej retorikës së vetë kandidatit republikan për president, Donald Trump.

Ky i fundit ka thënë se Rusia ka shkelur marrëveshjen për armëpushim në Siri, duke mos respektuar SHBA-në, por nuk ka thënë se do të përdorte ushtrinë si përgjigje.

Deklarata për Sirinë e zotit Pence ka qenë në mesin e pak lajmeve që kanë dalë nga debati i vetëm nënpresidencial, përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit në SHBA.

Pence, gjatë gjithë debatit, është dashur të mbrojë Trumpin nga akuzat e zotit Kaine se manjati i pasurive të patundshme hyjnizon presidentin rus, Vladimir Putin, dhe taktikat e tij.

Donald Trump vazhdimisht ka lavdëruar Vladimir Putinin dhe është e qartë se ai ka marrëveshje biznesi me oligarkët rusë, të cilët janë shumë të lidhur me Putinin. Ekipi i menaxhimit të fushatës së Trumpit është dashur të shkarkohet rreth një muaj më parë, për shkak të lidhjeve në hije me forcat që mbështesin Putinin”, tha Kaine.

Meqë Trump nuk i ka bërë të ditura financat e tij, Kaine tha se amerikanët pyeten nëse miliarderi do të takohet me Putinin dhe do t’i vë interesat kombëtarë mbi të tijat.

Pence bëri përpjekje të ndërrojë kahun e debatit, duke akuzuar kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton, dhe partinë e saj se po ushqejnë qasjen luftuese të Rusisë.

“E vërteta është se politika e dobët dhe e kotë e Hillary Clintonit dhe e (presidentit) Barack Obamës ka zgjuar agresion në Rusi”, tha Pence.

Përgjigjja që SHBA duhet t’i japë Rusisë është “forca”, insistoi Pence.

Në përgjigje të akuzave të Pence, Kaine tha se Clinton vazhdimisht ka treguar forcë dhe është ngritur kundër Putinit kur ka qenë sekretare shteti e presidentit Obama.

Hillary Clinton ka shkuar shputë më shputë me Rusinë, edhe sa i përket pushtimit të Gjeorgjisë nga Rusia”, tha Kaine.

Debati është udhëhequr nga gazetarja Elaine Quijano e CBS News dhe raportohet se ka tërhequr një rekord prej 84 milionë shikuesish. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG