Ndërlidhjet

Kremlinit nuk i pëlqen përdorimi i “kartës ruse” në zgjedhjet në SHBA


Ilustrim - Ndërtesa e Qeverisë ruse në Moskë
Ilustrim - Ndërtesa e Qeverisë ruse në Moskë

Kremlini ka thënë se nuk është i lumtur me referencat e shpeshta të Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në fushatën zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.

“Për keqardhjen tonë, ne e dimë që karta e Rusisë dhe përmendja e presidentit tonë janë bërë prakitikisht pjesë e pandashme e fushatës zgjedhore në Amerikë”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Komentet e Peskov, si duket, kishin për qëllim t’ua kujtonin rusëve dhe botës për ndikimin që ka Moska në skenën ndërkombëtare. Ato nuk kishin për qëllim adresimin e paralajmërimeve të fundit të zyrtarëve amerikanë se agjencitë e inteligjencës ruse duhet të ndërpresin ndërhyrjen në zgjedhjet presdienciale në SHBA, ose në të kundërtën ato do të ndikojnë në zgjedhje, përfshirë këtu edhe përmes sulmeve kibernetike në sistemin e votimit dhe në Partinë Demoraktike.

Peskov ka thënë se retorika e të gjithë pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore në SHBA është “subjekt për një ndryshim oportunist”.

Ai i ka bërë këto komente pasi kandidati republikan për president, Donald Trump, ka deklaruar më 4 tetor se Rusia e ka prishur marrëveshjen për armëpushim në Siri me SHBA-në dhe se Putini nuk i respekton liderët amerikanë.

Edhe kandidati republikan për nënpresident, guvernatori i Indianës, Mike Pence, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin forcë ushtarake kundër caqeve të forcave siriane, nëse Rusia vazhdon “sulmet barbare” në qytetin Alepo të Sirisë.

Gjatë debatit të kandidatëve për nënpresident të SHBA-së, Pence në vazhdimësi ka mbrojtur Trumpin ndaj akuzave të kundërkandidatit demokrat, Tim Kaine, se biznesmeni amerikan e ka idhull Putinin dhe taktikat e tij.

“Donald Trump vazhdimisht ka lavdëruar Vladimir Putinin dhe është e qartë se ai ka marrëveshje biznesi me oligarkët rusë, të cilët janë shumë të lidhur me Putinin. Ekipi i menaxhimit të fushatës së Trumpit është dashur të shkarkohet rreth një muaj më parë, për shkak të lidhjeve në hije me forcat që mbështesin Putinin”, ka thënë Kaine.

Pushtimi i gadishullit të Krimesë në Ukrainë më 2014 dhe intervenimi ushtarak në Siri kanë paraqitur sfida serioze të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG