Ndërlidhjet

“Vrisni ide, mos vrisni njerëz”


Svetlana Alexievich

Svetlana Alexievich

Autor: Timur Olevsky

Ashtu si shumica e botës, Svetlana Alexievich po vëzhgon luftën e Sirisë e tmerruar.

“Për një artist, ky është një spektakël i padurueshëm”, tha ajo, duke folur për programin Current Time të Radios Evropa e Lirë.

Alexievich, 68 vjeçe, ka fituar vitin e kaluar Çmimin Nobel për letërsi. Ajo është shpërblyer për “shkrimet e saj polifonike”, që kanë nxjerrë në pah traumat e Bashkimit Sovjetik, që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas Komitetit të Nobelit, shkrimet e saj janë “monument për vuajtjet dhe guximin në kohën tonë”.

Sot, Alexievich është veçanërisht e alarmuar teksa sheh rusët duke mbështetur politikën gjithnjë e më agresive të qeverisë së tyre.

“Ne kemi kulturë ushtarake. Ne jemi njerëz të luftës. Nuk kemi histori tjetër. Ose kemi përgatitur luftë, ose kemi luftuar. Militarizmi ka shtypur të gjithë butonat tanë psikologjikë në të njëjtën kohë”, tha Alexievich.

Sipas saj, aneksimi i rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia dhe mbështetja e hapur ruse për fushatën separatiste në lindje të Ukrainës janë të kuptueshme, sepse, siç tha Alexievich, “pa Ukrainën, Rusia nuk ekziston në kuptimin perandorak që nuk ka arritur ta flakë”.

Pikëpamja e saj mbi luftën në Ukrainë është e qartë:

“Jam në anën e Ukrainës; bëhet fjalë thjesht për pushtim”, u shpreh Alexievich.

Ajo sheh dallim të madh midis Ukrainës dhe Rusisë sot. Sipas saj, Ukraina po sheh kah e ardhmja, ndërsa Rusia rropatet kah e kaluara.

Historikisht, rusët kanë lënguar për “ide të ndikimit”, që i tërheq nga varfëria dhe rënia dhe i bën të ndjehen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja e tyre, tha Alexievich. Sipas saj, Rusia është në kërkim të një ideje të tillë aktualisht dhe kjo gjë është e rrezikshme.

“Është e rëndësishme që e gjithë bota të kuptojë se duhet të vriten idetë dhe jo njerëzit. Unë kam shpresë dhe gjithmonë them se urrejtja nuk do të na shpëtojë, por vetëm dashuria, vetëm duke folur me njëri-tjetrin”, tha Alexievich.

Dashuria është shumë në mendjen e saj këto ditë.

“Jam duke punuar në dy libra. Njëri ka të bëjë me dashurinë dhe tjetri për moshën e shtyrë dhe vdekjen”, tha shkrimtarja bjelloruse.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG