Ndërlidhjet

Presidenti kolumbian fiton Nobelin për Paqe


Juan Manuel Santos
Juan Manuel Santos

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos ka fituar çmimin Nobel për Paqe për vitin 2016.

Santos e ka fituar këtë çmim për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës civile 52 vjeçare në Kolumbi.

“Komiteti norvegjez për Nobel ka vendosur t'ia jap çmimin Nobel për Paqe për vitin 2016, presidentin Juan Manuel Santos, për rezultatet e tij në përpjekjen për t’i dhënë fund luftës civile në vendin e tij, të gjatë më shumë se 50 vjet, lufta nga e cila kanë humbur jetën të paktën 220 mijë kolumbianë dhe janë zhvendosur më shumë se 6 milionë njerëz”, ka thënë Kaci Kullman Five, kryetare e këtij Komiteti.

Nga Kolumbia, Santos ka thënë se është “i lumtur” dhe “shumë mirënjohës” për këtë çmim.

Ai ka thënë se Nobelin për Paqe do ta pranojë në emër të kolumbianëve dhe ka shtuar se ky çmim është “jashtëzakonisht i rëndësishëm” për procesin e paqes në Kolumbi.

Komiteti për Nobel ka thënë po ashtu se “presdenti Santos ka inicuar bisedimet të cilat përfunduan me arritjen e marrëveshjes të paqes në mes të qeverisë kolumbiane dhe grupit gueril të Farkut, dhe ai ka kërkuar vazhdimisht që të shtyjë përpara procesin e paqes”.

Komiteti nuk ka përmendur liderin e Farc-ut, Rodrigo Londono- që njihet si Timochenko- i cili ka nënshkruar marrëveshjen e paqes me Santos.

“I vetmi çmim se ne aspirojmë është ai i paqes dhe i drejtësisë sociale për Kolumbinë pa paramilitarizëm, pa hakmarrje pa gënjeshtra”, ka shkruar në Twitter Timochenko, pasi Santos u shpall fitues i Nobelit.

Santos ka fituar këtë çmim ndonëse në referendumin mbi marrëveshjen e paqes, të mbajtur më 2 tetor, ku kolumbianët nuk e pranuan këtë marrëveshje, për të cilën shumë menduan se ishte e butë ndaj luftëtarëve rebelë. Por presidenti kolumbian ka thënë se do të punojë sërish në planin e paqes.

Komiteti i Nobelit përmes një deklarate ka thënë se vota “Jo” në referendumin në Kolumbi, nuk do të thotë se “procesi i paqes ka vdekur”.

“Kjo e bën më të rëndësishme për të gjitha palët, të udhëhequr nga presidenti Santos dhe lideri i guerilëve të Farc-ut, Rodrigo Londono, që të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin”, thuhet në deklaratë.

Komiteti norvegjez për Nobel ka thënë se ky çmim i takon edhe kolumbianëve të cilët, pavarësisht se kanë kaluar periudha të vështira, nuk kanë hequr dorë nga shpresa për paqe.

Presidenti kolumbian do të pranojë çmimin më 10 dhjetor në Oslo.

Vlera e çmimit Nobel për Paqe është 930 mijë dollarë amerikanë.

XS
SM
MD
LG