Ndërlidhjet

logo-print

Protestë e serbëve në veri për Trepçën


Protesta e serbëve në veri të Kosovës kundër Ligjit për Trepçën

Protesta e serbëve në veri të Kosovës kundër Ligjit për Trepçën

Mijëra qytetarë serb të komunave të veriut të Kosovës kanë protestuar sot kundër projektligjit për Trepçën, leximi i parë i të cilit do të bëhet sot në Kuvendin e Kosovës.

Në protestën e mbajtur në rrugën Mitrovicë - Leposaviq, kanë marrë pjesë kryetarët e katër komunave veriore të vendit, Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ministra serb të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe, dhe zyrtarë të qeverisë së Serbisë.

Ljubomir Mariq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se Kuvendi i Kosovës, po përpiqet që përmes mbivotimit ta miratojë Ligjin për Trepçën, i cili80 për qind të këtij kombinati do ta shndërronte në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind në pronësi të punëtorëve.

“Me dorë të zgjatur kemi provuar tu tregojmë se Trepça është zemra e këtyre komunave në veri. Që ky popull ka shans për të ardhmen. U kemi treguar qartë se një vendim i tillë dhe një ligj i tillë çon drejt përjashtimit dhe shuarjes së plotë të Trepçës në veri”, ka thënë ministri Mariq.

Protestuesve u është drejtuar edhe Petar Petkoviq, ndihmes i shefit të Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë. Ai ka theksuar se autoritetet e Kosovës po përpiqen ta rrëmbejnë pasurinë e Serbisë në Kosovë. tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për Trepçën.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Trepçën, por për tërë pasurinë e Serbisë, vlera e së cilës është më tepër se 200 miliardë euro dhe të cilën Prishtina dëshiron ta grabisë, në mënyrën siç po e bën edhe me Trepçën”, ka thënë Petkoviq,

Sipas tij, qëllimi më i madh dhe i skajshëm i autoriteteve të Kosovës, është që, siç ka thënë ai, me grabitjen e pasurisë serbe, të rrezikohet në mënyrë të përhershme struktura etnike në mjediset serbe.

“Ne nuk mund të pajtohemi me këtë dhe aq më pak që nuk e pranojmë një vendim të tillë të njëanshëm të Prishtinës”, theksoi Petkoviq.

Ai ka shtuar se në emër të Qeverisë së Serbisë po dërgon porosi të paqes dhe thirrje për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve.

“Nëse Prishtina nuk e pranon dorën tonë të zgjatur, le ta dijë mirë, se ashtu sikur që pas meje, në pikën më të lartë,po valon flamuri serb në kalanë e Zveçanit, ashtu do të valojë edhe në oxhakun e Trepçës, sa të ekzistojë Serbia dhe populli serb”, ka thënë Petkoviq.

Protestës së serbëve kundër projektligjit për Trepçën, të premten, i ka paraprirë takimi urgjent i asambleistëve komunalë të katër komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut.

Ata, sipas konkluzioneve të miratuara në këtë takim, kanë marrë vendimin që “të mos i pranojnë vendimet për statusin e Trepçës dhe t’i shpallin të pazbatueshme në territorin e katër komunave në veri të Kosovës’, nëse “Kuvendi i Kosovës i miraton pa një marrëveshje paraprake me përfaqësuesit e punëtorëve të Trepçës dhe menaxhmentin e saj në veri”.

Udhëheqësi serb në veri i kombinatit Trepça, Jovan Dimkiq, ka thënë se propozimi i Qeverisë së Kosovës është bërë në "mënyrë të njëanshme" dhe se nuk ka studime të zbatimit dhe riorganizimit të Trepçës.

“Kjo nguti po tregon për qëllimet e këqija të Prishtinës”, ka thënë Dimkiq, i cili ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që kjo çështje të shtyhet.

Gjithashtu, sipas konkluzioneve nga takimi i asamblistëve të katër komunave në veri të Kosovës,është tnhënë se ata e “shprehin fuqishëm kundërshtimin ndaj projektligjit për Trepçën dhe kërkohet tërheqja e tij nga procedura e shqyrtimit”.

Asamblistët kanë kërkuar që “për këtë çështje të diskutohet me menaxhmentin dhe përfaqësuesit e punëtorëve në Trepçë, në pjesën veriore” dhe me, siç thuhet, “pronarët e vërtetë të Trepçës”.

Konkluzat e asamblistëve u nënshkruan nga kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës.

Në dy ditët e kaluara minatorët serbë të Trepçës janë mbledhur në Mitrovicën e veriut dhe në Leposaviq, me kërkesën për “heqjen nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Trepçën”.

Takimi i asamblistëve të komunave në veri erdhi pak orë përpara se Kuvendi i Kosovës të fillojë leximin e parë të projektligjin për Trepçën, që Qeveria e Kosovës ia dërgoi Kuvendit nga mesi i javës. Projektligji u kundërshtua nga ministrat serbë në qeverinë e vendit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG