Ndërlidhjet

Trump kërkon falje pas kritikave për komentet për femra


Donald Trump duke folur në një fushatë në shtetin Nevada më 5 tetor

Donald Trump duke folur në një fushatë në shtetin Nevada më 5 tetor

I nominuari republikan për president amerikan, Donald Trump, ka kërkuar falje, pas kritikave publike të disa republikanëve të njohur, për shkak të paraqitjes së një xhirimi të vjetër gati një dekadë, ku ai shihet duke folur në mënyrë vulgare për femrat dhe për thënien e tij se ai mund “t’i kap ato” dhe të bëjë “çdo gjë” pasi ai ishte “një yll”.

Në videon e publikuar zoti Trump tha se “isha gabim dhe kërkoj falje”, dhe ka shtuar se fjalët që i ka përdorë në videon treminutëshe të vitit 2005, “nuk reflektojnë se kush jam unë”.

Fushata e rivales së tij demokrate, Hillary Clinton, me të shpejtë i ka kritikuar komentet e Donald Trumpit.

Hillary Clinton shpreson që të zgjedhet femra e parë presidente në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Kjo video, poashtu, ka shkaktuar kritika të ashpra të liderëve të Partisë Republikane, e cila aktualisht po ballafaqohet me tensione për shkak të sfidës së biznesmenit të pasur ndaj establishmentit republikan.

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Paul Ryan, republikan nga shteti Uiskonsin, e ka tërhequr ftesën për një paraqitje të përbashkët me zotin Trump këtë fundjavë, ndërsa lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, ka vlerësuar se komentet e Trumpit ishin “neveritëse” dhe “të papranueshme në asnjë rrethanë”.

Hulumtimet e opinionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se pritet një garë e ashpër në zgjedhjet presidenciale më 8 nëntor, megjithqë zonja Clinton ka një epërsi të lehtë, para debatit të dytë presidencial, që parashihet të mbahet nesër vonë në mbrëmje.

XS
SM
MD
LG