Ndërlidhjet

VOX

Diploma bachelor, e pamjaftueshme për punësim


Diploma që dëshmon për përfundimin e studimeve universitare të nivelit bachelor, nuk mjafton për të gjetur një vend pune në Kosovë, vlerësojnë disa të rinj, studentë në universitetet dhe kolegjet në Prishtinë.

Në rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë, shumica e të rinjve thonë se konkurrenca për punësim ndërmjet atyre që kanë diplomat bachelor është e madhe. Sipas tyre, ky është motivi që t’u qasen studimeve për një nivel më të lartë apo studimet për titullin master, me shpresën se ky titull u siguron punësim.

Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me atë, nëse studimet e nivelit master është më e dobishme t’i përfundojnë në Kosovë apo në universitetet jashtë vendit.

Arnisa Aliçkaj, studente e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se kërkesat që parashtrohen në konkurset eventuale për vende pune, tejkalojnë diplomën bachelor.

“Gjithmonë tash po ka kërkesa më të mëdha në vende të punës. Po lypin praktikë, po lypin master. Shkurt e shqip, po kërkojnë më shumë përvojë dhe besoj që kjo është arsyeja pse bachelor nuk mjafton”, thotë Arnisa.

Qëndrim Metaj, thotë se studion shkencat kompjuterike në Kolegjin Universitar “Iliria”. Ai shpreh mendimin se me një diplomë të nivelit bachelor, gjasat për punësim janë të pakta.

“Kushtet në Kosovë për studentë janë shumë të këqija. Kështu që vetëm me bachelor nuk ka mundësi të punësohet njeriu. Masteri ose doktoratura japin më shumë hapësirë për t’u punësuar diku. Për master, nuk janë edhe aq kushtet e mira ( në Kosovë) kështu që më së miri është jashtë”, shprehet Qëndrimi.

Blerton Latifi, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se konkurrenca për vende pune me diplomë bachelor në Kosovë është shumë e madhe:

“Duke parë që konkurrenca është shumë e madhe, nuk besoj që vetëm studimet bachelor mund të kryejnë punë për t’u punësuar diku, por studimet ende më të larta, siç janë master etj. Mendoj që të shkoj diku jashtë, t’i përfundoj studimet dhe të kthehem prapë në Kosovë, të kontribuoj për vendin tim”.

Adelina Tërshani, studente e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se mundësitë për punësim me diplomë të nivelit bachelor varen nga zgjedhja e profesionit. Megjithatë, sipas saj, nëse studentët vendosin të studiojnë për master dhe kanë mundësi financiare, atëherë këtë duhet ta bëjnë jashtë Kosovës.

“Nëse je i mirë në gjuhët tjera, besoj që është më mirë jashtë. Definitivisht, ka që e kanë kryer edhe masterin, por jo që janë mjaftueshëm të mirë në profesionin e tyre. Është shumë e diskutueshme kjo çështje”, vlerëson Adelina.

Edhe Egzon Veseli, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se konkurrenca për punësim me diplomë bachelor është shumë e madhe dhe kjo imponon studime në nivel më të lartë.

“Nuk mjafton (bachelor), sepse është kualifikimi shumë i dobët. Ka shumë konkurrencë. Gjithsesi duhet të profesionalizohemi këtu ose jashtë. Por, nëse shkon jashtë, duhet të mbetesh atje ose të kthehesh këtu për të gjetur një vend pune me master. Nëse shkon jashtë dhe e sheh sa paguhet atje, kur kthehesh këtu, je i demotivuar për punë”, shprehet Egzoni.

Labinot Halimi, student në Departamentin e Historisë në Universitetin e Prishtinës, shpreh mendimin se diplomën bachelor e zhvleftëson për punësim nepotizmi, i cili, sipas tij, është mjaft prezent në Kosovë.

“Është problem. Jo që nuk mjaftojnë (diplomat bachelor), por vendet e punës që janë, janë për njerëzit që i kanë familjarët e tyre dhe të afërmit.... aty ku duhet me qenë ata që e kryejnë fakultetin. Ka shumë gjenerata para nesh që kanë kryer fakultetin, masterin, doktoraturën dhe sot punojnë nëpër vende pune të thjeshta, si kamerier ose në ndonjë administratë, aty ku mund ta gjejnë ndonjë të njohur. Përndryshe, jo”, thekson Labinoti.

Në universitetet publike në Kosovës, në vitin akademik 2016/2017 janë regjistruar 15 mijë e 487 studentë. Afërsisht ky numër i studentëve është regjistruar edhe në vitet paraprake.(REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG