Ndërlidhjet

Disa republikanë e tërheqin mbështetjen për Trumpin

  • RFE /RL

Donald Trump

Donald Trump

E nominuara demokrate për presidente, Hillary Clinton, dhe rivali i saj republikan, Donald Trump, janë në procesin e përgatitjeve për duelin e dytë ballë për ballë presidencial, që mbahet sonte vonë sipas kohës lokale, në Sent-Luis të shtetit Misuri.

Kështu, debati i dytë televiziv, Clinton -Trump, mbahet një muaj para zgjedhjeve më 8 nëntor.

Por, debati i dytë po bëhet derisa gjithnjë e më tepër republikanë të njohur e kanë tërhequr mbështetjen e tyre për Donald Trumpin, pas transmetimit të një videoje të incizuar në vitin 2005, ku i nominuari republikan bënë komente poshtëruese për një grua dhe shprehet krenar me veprimet e tij, që mund të cilësohen si sulm seksual.

Ja se çka kishte thënë zoti Trump për femrat në vitin 2005:

“E dini, mua automatikisht më tërheqin gratë shumë të bukura. Menjëherë filloi t’i puthi. Kjo është sikur magnet. Vetëm puthje. Unë nuk pres. Dhe kur ju jeni yll, ato ju lejojnë juve. Ju mund të bëni çdo gjë”, thoshte Donald Trump, i shoqëruar nga gazetari, Billy Bush, në vitin 2005.

Senatorët republikanë, anëtarë të Dhomës Përfaqësuese, guvernatorët dhe ish-personalitetet politike, kanë kërkuar që Trumpi të tërhiqet nga fushata.

Kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ka vlerësuar se komentet e Trumpit ishin “të tmerrshme”.

Kandidati republikan, që është biznesmen tejet i pasur, e ka publikuar një kërkim-falje të rrallë për komentet e tij, por ka shprehur përkushtim për vazhdimin e fushatës për zgjedhjet e 8 nëntorit.

Ai, po ashtu, e ka sulmuar rivalen demokrate dhe bashkëshortin e saj, Bill Clinton, ish-president amerikan.

Aktualisht, Bill Clintoni i ka abuzuar gratë, dhe Hillary i ka frikësuar, sulmuar dhe turpëruar viktimat e tij”, tha Donald Trump, në videon e publikuar, në të cilën kërkon falje për komentet e tij.

“Për këto gjëra, ne do të diskutojmë gjatë ditëve të ardhshme”, tha Trump dhe shtuar se “shihemi në debatin e së dielës”.

Senatori republikan nga Alaska, Dan Sullivan, pas publikimit të videos së vitit 2005, tha se “do ta mbështes Mike Pence, për president”. Zoti Pence është kandidat republikan për zëvendëspresident.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, në rrjetin Facebook ka shkruar se Trump duhet të tërhiqet dhe se ajo do ta “mbështes dikë që ka dinjitet dhe aftësi për ta udhëhequr zyrën më të lartë në demokracinë më të madhe në tokë”.

Ish-guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, njëherësh aktor i njohur i Hollivudit, u ka bërë thirrje republikanëve ta tërheqin mbështetjen e tyre për Trumpin, duke theksuar se “nuk është vetëm e pranueshme të zgjidhet vendi në krahasim me partinë tuaj, por është edhe obligim i juaji”.

Senatori amerikan, John McCain, republikan nga Arizona, i cili ishte i nominuar republikan për zgjedhjet presidenciale në vitin 2008, në deklaratën e tij tha se ai nuk do të votojë për Trumpin, por nuk ka kërkuar që ai të tërhiqet.

Ish-guvernatori i Nju Jorkut, George Pataki, ka vlerësuar se fushata e Trumpit është “përzierje helmuese e jotolerancës dhe injorancës”.

E gjithë udhëheqja republikane e shtetit konservator perëndimor, Utah, përfshirë guvernatorin, Gary Herbert, ka kërkuar që Donald Trumpi të tërhiqet.

Gazeta në këtë shtet “The Deseret”, që është pronë e Kishës mormone, e ka publikuar një editorial, ku thekson se komentet e Trumpit demonstrojnë “gatishmëri për t’i përdorur dhe hedhur qeniet e tjera njerëzore sipas dëshirës” dhe shpjegon se “kjo karakteristikë është esenca e despotit”. Në editorial kërkohet që Trump të tërhiqet nga gara presidenciale.

Por, disa qindra mbështetës të Donald Trumpit janë mbledhur afër rrokaqiellit, Trump Tower, në Qytetin e Nju Jorkut, ndërsa zoti Trump është paraqitur për një kohë të shkurtër dhe i ka përshëndetur me dorë.

Njëherësh, Bill Pruit, ish-producent i shout real televiziv “The Apprentice”, ku në rolin kryesor paraqitej Donald Trump, në rrjetin Twitter ka shkruar se ka edhe video “shumë më të këqija” për Trumpin, të cilat ende presin të paraqiten.

Gazetari i rrjetit “Fox News”, Ed Henry, në rrjetin Twitter ka shkruar se ish-kandidati republikan për president dhe këshilltar i Trumpit, Ben Carson, i ka thënë atij se në të ardhmen “do të ketë më tepër zbulime”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG