Ndërlidhjet

Gjykatë Speciale për gjykimin e padive të Prokurorisë Speciale


Ilustrim
Ilustrim

Vendimi i fundit i Gjykatës Penale të Maqedonisë, e cila sërish ka hedhur poshtë kërkesat e Prokurorisë Speciale për shqiptimin e paraburgimit, apo të masave tjera të kujdesit ndaj zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim detyre, ka shtuar kërkesat për themelimin e një Gjykate Speciale, e cila do të merrej gjykimin e të gjitha rasteve që kanë dalë nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Jo zyrtarisht, një rekomandim të tillë pritet të përmbajë edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë, bazuar në deklaratat e diplomatëve perëndimor, të cilat vazhdojnë t'i japin mbështetje të fuqishme hetimeve të nisura nga Prokuroria Speciale.

Partitë politike, por edhe drejtuesit e institucioneve gjyqësore, me përjashtim të opozitës, kanë thënë në vazhdimësi se Gjykatë Speciale nuk mund të formohet pasi një kërkesë e tillë jo vetëm që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Përzhinës, por edhe me kushtetutën aktuale, me të cilën nuk parashihet formimi i institucioneve paralele.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve juridike thonë formimi i një gjykate, apo një departamenti të veçantë, është domosdoshmëri, duke marrë parasysh obstruksionet e shumta që pa hasë specialja në punën e saj.

“Nuk ka dilema se që të shmangen obstruksionet, apo që të ketë një hetim efikas të veprave që po hetohen nga Prokuroria Speciale, gjithsesi se nevojitet një zgjidhje e re, e cila vlerësoj se qëndron në themelimin e një gjykate speciale, e cila së bashku me prokurorinë speciale do të përfundonin të gjitha proceset e nisur ndaj zyrtarëve të cilët akuzohen për shpërdorim detyre”, thotë Temelko Ristevski, ekspert juridik dhe profesor në Universitetin Fon.

Edhe Bekim Kadriu, njohës i çështjeve juridike, thekson nevojën e formimit të një organi të tillë, duke marrë parasysh refuzimin e të gjitha masave të sigurisë për të akuzuarit e Prokurorisë Speciale.

“Prokuroria speciale kërkon shqiptimin e masës së paraburgimit, ndërsa gjykata vendos kundër një kërkese të tillë, prandaj edhe përmenden alternativa tjera, dhe një prej tyre - që nuk është e panjohur - është themelimi i një gjykate speciale, apo i një departamenti special në kuadër të gjykatës penale”, thotë Kadriu.

Në këtë kuadër, profesori Ristevski thonë se nuk ekziston as edhe pengesë juridike për themelimin e një organi të tillë, edhe pse kushtetuta ndalon themelimin e gjykatave të jashtëzakonshme.

“Ka dallim mes gjykatave të jashtëzakonshme dhe gjykatave të specializuara. Gjykatat speciale janë gjykatat që punojnë në kuadër të sistemit gjyqësor të vendit, ndërsa të jashtëzakonshme janë gjykata që gjykojnë me procedurë të shpejtë dhe kryesisht aplikohen në gjendje lufte”, thotë Ristevski.

Por, Svetomir Shkariq, profesor i së drejtës kushtetuese, thotë se pa ndërhyrje në kushtetutën aktuale një gjë e tillë nuk mund të realizohet. Ai, ndërkohë, thotë se Gjykata Speciale duhet të veprojë jashtë sistemit ekzistues gjyqësor.

“Duhet të ndërtohet një bazë e re kushtetuese apo një amendament në bazë të të cilit do të bazohet autonomia e prokurorisë speciale. Për gjykimin e veprave që ajo po heton duhet të ketë edhe një gjykatë speciale, edhe atë në dy instanca, e para me tre gjykatës dhe e dyta me pesë, njëjtë sipas shembullit të gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. Pra, gjykata që duhet të vendos për këtë lëndë duhet të jetë jashtë sistemit gjyqësor aktual”, ka deklaruar Shkariq.

Prokuroria Speciale aktualisht ka ngritur akuza ndaj 21 zyrtarëve, përfshirë edhe ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe dhjetëra personalitete të sferës politike, ndërsa hetime po zhvillohen edhe ndaj shumë të tjerëve, që për bazë kanë bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, aferë kjo e publikuar nga opozita në shkurt të vitit të kaluar. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG