Ndërlidhjet

logo-print

Qyteti Dabik, afro 40 kilometra nga Alepo, në pjesën veriore të Sirisë, me më pak se 3,500 banorë, është një vend joimpresionues për betejën, që supozohet se e paralajmëron Apokalipsin.

Dabiku ka vend qendror në ofensivën e sofistikuar propaganduese të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS). Bile, revista zyrtare e grupit e ka këtë emër.

Shteti Islamik pretendon se në Dabik do të zhvillohet beteja përfundimtare ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Ky pretendim i fundit është më pak se gjysmë i vërtetë.

Koalicioni i forcave speciale të Shteteve të Bashkuara dhe mbështetja ajrore, që formalisht konsiderohen të krishterë, i mbështesin forcat turke dhe kryengritësit sirianë, të dyjat palë myslimane, që tash po avancojnë kah qyteti.

“Nëse gjërat shkojnë sipas planifikimit, brenda 48 orëve ne do të jemi në Dabik”, i ka thënë agjencisë Reuters më 4 tetor, Ahmed Osman, komandant i grupit Sultan Murad, të Armatës së Lirë Siriane.

Për dallim nga qyteti i afërt Alepo, Dabiku nuk është ushtarakisht i rëndësishëm për grupin ekstremist, Shteti Islamik, pasi është vetëm një ndër shumë vendbanimet që duhet të pastrohen gjatë rrugës për në Al-Bab dhe përfundimisht, në qytetin Raka, ku është selia e Shtetit Islamik.

Por, nëse IS-i e humb Dabikun, kjo megjithatë do të ishte goditje. Siç ka theksuar Kyle Orton, nga Henry Jackson Society, IS-i e përdorë Dabikun për “t’i ftuar të gjithë myslimanët të vijnë dhe t’i mbështesin ushtarët islamikë në këtë luftë.

Aktualisht, kjo propagandë ka funksionuar: apokaliptizmi dhe kalifati i kanë dhënë Shtetit Islamik një joshje, të cilën rivalët e tij xhihadistë nuk e kanë, dhe kjo ka reflektuar me numrin e vullnetarëve të jashtëm, të cilët janë mbledhur nën flamurin e tyre, në krahasim me Al-Kaidën, të themi”.

Shteti Islamik e kishte okupuar Dabikun më 13 gusht të vitit 2014 dhe prej atëherë e ka kontrollin në këtë qytet.

Hyrja e Turqisë në luftë i komplikoi gjërat

Ndërhyrja e Turqisë në konflikt, duke e kaluar kufirin më 24 gusht, së bashku me forcat e afërta kryengritëse,duke e larguar IS-in nga qyteti Gjarabulus, i konsideruar si pikë madhore për kalimin e militantëve, ishte fillim i avancimit në Dabik.

Gjatë ditëve aktuale, bombarduesit e Turqisë i kanë sulmuar disa caqe të Shtetit Islamik, në hapësirat rreth qytetit.

Hyrja e Turqisë në konflikt e ka komplikuar gati çdo gjë. Mosbesimi ndaj Shteteve të Bashkuara është i shtrirë ndër forcat që e kundërshtojnë presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, për shkak të bindjes së tyre se kanë bërë pak për ta parandaluar masakërn e regjimit të Assadit ndaj popullit të Sirisë, prej fillimit të konfliktit në vitin 2011.

Si thekson mëtutje eksperti, Kyle Orton, mosbesimi po thellohet, derisa Uashingtoni i ka zgjedhur luftëtarët e ndërlidhur me Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK), si aleat primar në terren.

PKK i ka bazat në gjithë Sirinë dhe Irakun, ndërsa Turqia e konsideron si forcë separatiste, që punon për krijimin e enklavës kurde në pjesën veriore të Sirisë dhe në disa pjesë të Turqisë, (PKK i ka hedhur poshtë këto pohime), dhe rrjedhimisht, e sheh si potencial kërcënues për integritetin territorial të Turqisë.

Agjenda e supozuar separatiste e PKK-së, megjithatë, është përçarëse për të gjitha palët.

Lufta për Dabikun: rënia e paevitushme

Luftimet rreth qytetit, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, nga të cilat janë vrarë 15 kryengritës dhe 13 luftëtarë të IS-it, po intensifikohen dhe përleshja finale është e paevitueshme.

Militantët e Shtetit Islamik, nga ana e tyre, e kanë mbrojtur qytetin me mina tokësore dhe mjete të tjera eksploduese, dhe i kanë ftuar luftëtarët më të fuqishëm në hapësirat e tjera, që të vijnë në Dabik, për ta mbrojtur qytetin.

Por, e vërtetë është se rënia e qytetit është e paevitueshme.

Mostafa Sejari, nga Brigada al-Mutasim, e ndërlidhur me Armatën e Lirë Siriane, i tha së përditshmes brtanike, Daily Express, se “ne presim që beteja për Dabikun do të jetë më e ashpër se anjëherë më parë” dhe ka shtuar se Daeshi, që është shprehje pezhorative për IS-in në gjuhën arabe, “i ka sjellur qindra luftëtarë në këtë hapësirë, përfshirë forcat e tyre speciale për tu konfrontuar me neve...pasi e ka ndërtuar mitin e vet në Dabik, duke e eksploatuar injorancën dhe mungesën e dijes në mesin e njerëzve dhe duke krijuar avantazh nga historia dhe religjioni, për t’i realizuar projektet e veta djallëzore. Duke e kontrolluar Dabikun, ne e thejmë mitin e Daeshit dhe e hapim rrugën për në Marea”.

Referenca për histori dhe religjion mund të ketë lidhje me Hadith-in, që është përmbeldhje e raporteve për mësimet e profetit Muhamet. Sipas bashkudhëtarit të Muhametit, Abu Hurayrah, profeti kishte thënë se “Ora e fundit nuk do të vijë, derisa romakët të arrijnë në al-Amaq ose Dabik. Një armatë e përbërë nga njerëzit më të mirë në tokë në atë kohë, do të arrijë nga Medina për tu shkaktuar disfatë atyre”.

IS-i e di se nuk mund ta fitojë këtë luftë

Por, pyetja është se me çfarë çmimi do të merret kontrolli i Dabikut nga IS-i?

Shteti Islamik, derisa operon në disa mënyra si armatë tradicionale (me kuazi-shtetin e vet), po ashtu, vepron si një forcë kryengritëse. Nëse del se gjasët janë kundër tij, që në Dabik janë të tilla, IS-i mund ta paraqes forcën, meqë duke e pasur parasysh rëndësinë e qytetit për shenjën e tij, IS-i nuk ka tjetër zgjidhje.

Por, me gjasë, mund të humbë forcë njerëzore të rëndësishme në luftën për të cilën e di se nuk mund ta fitojë.

Nëse beteja për Dabikun zhvillohet sipas ritmit të luftimeve të mëparshme, që IS-i i ka bërë në qendrat urbane, ka shumë gjasë që të tërhiqet para armikut superior, por siç ka ndodhur me kryengritjen në Irak, largohet nga qyteti duke e lënë të mbushur me pajisje të improvizuara eksploduese, ndërtesa të minuara, së bashku me snajperët dhe sulmuesit vetëvrasës e braktisur.

Pra, mund të humbë, por kjo nuk do të kalojë heshtazi. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG