Ndërlidhjet

Kremlini konfirmon: Putin nuk shkon në Paris


Presidenti i Francës, Francois Hollande, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin - foto arkivi
Presidenti i Francës, Francois Hollande, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin - foto arkivi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka anuluar vizitën në Paris, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth agjendës së bisedimeve me presidentin e Francës, Francois Hollande.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin i ka thënë Hollande se “ai është i gatshëm të vizitojë Parisin kurdo që të jetë e përshtatshme për presidentin francez”.

“Andaj, do të presim derisa të vijë koha e përshtatshme”, tha Peskov.

Anulimi i vizitës së Putinit vjen një ditë pasi Hollande ka akuzuar trupat siriane për kryerje të krimeve të luftës në Alepo, me mbështetjen e Rusisë.

Putin është dashur të vizitojë Parisin javën e ardhshme, për të inauguruar një kishë ortodokse ruse dhe për të parë një ekspozitë të artit rus.

Hollande ka insisituar që me Putinin të flasë vetëm për situatën në Siri.

“Zoti Putin, presidenti i Rusisë, është dashur të vijë në Paris shumë shpejt për të ndjekur disa ceremoni inauguruese. Kam rënë dakord për vizitën vetëm me kusht që ai të bisedojë për Sirinë”, tha Hollande.

Moska ka mohuar vazhdimisht se sulmon civilët, duke thënë se shënjestër e saj janë grupet terroriste në Siri.

XS
SM
MD
LG