Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikë për një grua 22 vjeçe në Iran, e cila mund të varet brenda pak ditësh.
Zeinab Sekaanvand është dënuar për vrasjen e burrit të saj, i cili, siç ka thënë ajo, e ka rrahur për muaj të tërë.
Ekzekutimi i saj është shtyrë pasi ajo është rimartuar në burg dhe ka mbetur shtatzënë. Në Iran është e paligjshme të ekzekutohet gruaja që pret fëmijë.
Muajin e kaluar, ajo ka lindur foshnje të vdekur dhe tani rrezikon të varet.
Mjekët kanë thënë se foshnja ka vdekur në barkun e nënës si pasojë e stresit.
Organizata Amnesty International tha se Sekaanvand vjen nga një familje e varfër dhe konservatore iraniano-kurde dhe se ka ikur nga shtëpia për t’u martuar me burrin e parë, Hossein Sarmadi.
Ajo ka thënë se martesën me të e ka parë si mundësinë e vetme për jetë më të mirë.
Por, jo shumë kohë pas martesës, Sekaanvand ka thënë se burri i saj ka nisur ta rrahë dhe abuzojë rregullisht.
Sekaanvand ka qenë 17 vjeçe kur ka vdekur burri i saj. Ajo ka pranuar se e ka therur atë për vdekje.
Organizata Human Rights Watch tha se Irani, si pjesë e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, nuk duhet të dënojë me vdekje të mitur.