Ndërlidhjet

Opozita maqedonase marsh protestues kundër qeverisë


Pamje nga marshi i sotëm, 11 tetor 2016

Pamje nga marshi i sotëm, 11 tetor 2016

Me moton “Lufta vazhdon - Zëri fiton”, Lidhja Social-demokrate e opozitës në Maqedoni, shoqatat qytetare dhe personalitete të ndryshme, kanë marshuar rrugëve të Shkupit, duke shënuar kështu 11 tetorin, ditën e fillimin të luftës nacional çlirimtare kundër fashizmit.

Pjesëmarrësit e protestës vlerësojnë se lufta për barazi dhe jetë më të mirë ende nuk ka përfunduar, andaj edhe në protestë kanë hedhur parulla kundër pushtetit aktual, të cilin e fajësojnë për krizën politike dhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale, pastaj papunësinë në rritje, varfërinë dhe largimin gjithnjë e më të shprehur të të rinjve nga vendi, në mungesë të një jete më të mirë.

“11 tetori është simbol i luftës për liri, i mosbindjes qytetare, kryengritjes popullore dhe fitores kundër padrejtësive. Ne, me këtë marsh, konfirmojmë vendosmërinë tonë se do të vazhdojmë luftën për dinjitet, për drejtësi dhe barabarësi, kundër varfërisë dhe për paga më të larta, që të rinjtë të duan të jetojnë në shtetin e tyre të lindjes."

"Sot, 75 vjet nga themelimi i aradheve partizane, arma jonë është zëri, i cili fuqishëm thotë 'PO' për jetë në Maqedoni dhe 'JO' për regjimin”, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Vera Bunteska, nga Lidhja e Luftëtarëve të Maqedonisë, tha se qytetarët e këtij vendi duan të jetojnë në një shtet ku ka drejtësi për të gjithë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, politike, fetare apo racore.

“Duam të jetojmë në një shtet ku ka drejtësi për të gjithë, në një shtet që do të radhitet në mesin e shteteve evropiane. Ne presim një shtet të tillë me të ardhme për të gjithë dhe jo një shtet që ende nuk ka dalë nga e kaluara”, u shpreh Bunteska.

Gazetari Tomisllav Kezharovski, i dënuar me 5 vjet e gjysmë burg për shkak të zbulimit të një skandali gjyqësor, tha se Maqedonia është një shtet ku liria e shprehjes nuk ekziston dhe ku gazetaria ndodhet në një gjendje kaotike.

“Në Maqedoni nuk ka liri të shprehjes, një vend ku ka vetëm urrejtje dhe luftë ndaj kundërshtarëve të regjimit. Çdo zë që ngritet kundër pushtetit shuhet përmes formave më brutale të mundshme”, u shpreh Kezharovski.

Në marshin protestues kanë marrë pjesë qytetarë të bashkësive të ndryshme etnike, por ka edhe të atillë që pavarësisht se mbështesin kërkesat dhe qëndrimet e pjesëmarrësve, kanë kritikuar lidhshmërinë që i është bërë ngjarjeve të sotme me të kaluarën, apo luftën nacional-çlirimtare.

Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës të ish burgosurve politik shqiptar, thotë se shqiptarët do të ishin pjesë e marsheve të tilla, por pasi më parë të ishin të barabartë me maqedonasit.

“Shqiptarët duhet të bashkohen në marshe të këtilla të festave shtetërore, por vetëm pasi të ridefinohen disa çështje brenda shtetit të Maqedonisë, ku shqiptarët do të llogariten si Zot në shtëpinë e vet dhe jo sikur janë tani, si qiraxhinj në shtëpinë e vet...që sikur fëmijë të kërkojnë të drejtat e tyre dhe në fund dikush këtë t’ua jap."

"Derisa shqiptarët kërkojnë që dikush t'u jap të drejta, punë, bukë, universitete e shkolla, vlerësoj se nuk duhet të marrin pjesë në marshe të ngjashme. Jam për pjesëmarrje në protesta të tilla, nëse shqiptarët janë të barabartë me maqedonasit dhe nëse Maqedonia funksionon si shtet binacional”, thotë Pollozhani. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG