Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit, por shtyn votimin e Rezolutës


Ilustrim

Ilustrim

Numri i pamjaftueshëm i deputetëve pjesëmarrës në seancën e jashtëzakonshme ka ndikuar që Kuvendi i Kosovës të shtyjë miratimin e Rezolutës me të cilën do të kërkohej lirimi i menjëhershëm i Drejtorit rajonal të Policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.

Pas afër katër orë diskutimesh, deputetët vendosën që teksti i rezolutës të përpilohet nga një grup i deputetëve, në përbërje nga shumica e partive parlamentare.

Kurse, votimi i saj pritet të ndodhë të mërkurën, ngaqë të martën pjesëmarrja në seancë ishte tejet minimale.

Thaçi është arrestuar më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul dhe me vendimin e një gjykate të lartë në Nish, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ai akuzohet nga autoritetet serbe për, siç thuhet, veprën penale për largimin e një familjeje serbe nga Kosova, në Komunën e Lipjanit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se arrestimi i drejtorit Thaçi nga autoritetet serbe është akt politik dhe - siç u shpreh ai - veprimet e tilla nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Janë të papranueshme sjelljet e Serbisë në arrestimin e mbajtjen e qytetarëve tanë dhe në akuzat që atyre u vihen për vepra të cilat nuk i kanë bërë. Ne, kemi kërkuar nga Serbia përmes minstrive tona dhe autoritetit ndërkombëtar që zoti Thaçi të kthehet në Kosovë. Ndërkaq, për të gjitha dyshimet që i vihen atij, organet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin masa sipas ligjeve të Kosovës", tha Mustafa.

Iniciuesi i thirrjes së seancës, deputeti Gëzim Kelmendi, ka kërkuar që shtetit të Serbisë t'i bëhet e qartë se Kosova duhet t'i thotë Serbisë mjaft me arrestimin dhe maltretimin e shqiptarëve.

Ai, pos tjerash, ka kërkuar që bisedimet me Serbinë të ndërpriten menjëherë.

Por, kryeministri i Kosovës tha se Kosova nuk duhet të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë për shkak të arrestimit të zotit Thaçi.

"Kushtëzimi i lirimit të zotit Nehat Thaçi, me procesin e dialogut, nuk është në interes të Republikës së Kosovës", tha Mustafa.

Kurse, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se institucionet e Kosovës - që nga momenti i arrestimit të Thaçit - janë angazhuar intensivisht për lirimin e tij.

“Ne nuk mbrojmë vetëm interesin shtetëror, por edhe interesin e qytetarëve. Kur është arrestuar Thaçi ne kemi pasur informatë që ai do të lirohet të nesërmen. Por, pretendimet e Serbisë janë politike dhe nuk kanë të bëjnë me Thaçin. Kur e kemi parë që është vendosur masa e paraburgimit e kemi parë që arrestimi ka qenë i montuar, i planifikuar dhe që rasti ka kaluar në një situatë tjetër", tha pos tjerash ministri Hoxhaj.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se akuza për Thaçin ekziston që nga viti 2010, por ajo nuk është komunikuar asnjëherë tek organet kompetente në Kosovë.

Ajo ka njoftuar deputetët se institucionet e Kosovës, madje, i kanë dërguar notë verbale Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, por, siç ka thënë ajo, "deri sot nuk kemi marrë përgjigje".

Shefat e Grupeve Parlamentare të partive në pushtet kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të bëjnë gjithçka që është e mundur që zoti Thaçi të lirohet sa më shpejt.

Kurse, Glauk Konjufca, shef i Grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se institucionet e Kosovës po paraqiten si viktimë karshi arrestimit të zotit Thaçi. Ai tha se institucionet e Kosovës kanë reaguar shumë vonë për arrestimin e tij.

"Forma e reagimit për Nehat Thaçin ishte një vajtim përgjërues për bashkësinë ndërkombëtare - më shumë duke kërkuar ndihmë - ashtu që bashkësisë ndërkombëtare në një formë t'i vije 'gjynah' për ne edhe të reagojë. Kjo politika e 'gjynahit' që po e aplikon qeveria jonë është me të vërtetë jo produktive dhe e pa papranueshme, e portretizon shtetin e Kosovës si një entitet i cili nuk mund të përfundojë asnjë nga punët e veta”, u shpreh Konjufca.

Pal Lekaj, shef i Grupit parlamentar të AAK-së, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe vet Kuvendin për vonesën e mbajtjes së një seance të tillë.

Ai tha se një seancë e jashtëzakonshme është dashur të mbahej po në atë ditë kur është arrestuar zoti Thaçi nga autoritetet e Serbisë. Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës dhe kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve.

"Viktimë e këtyre marrëveshjeve të [bisedimeve] dhe deklaratave të ministres [ Edita Tahiri] ndoshta ka rënë edhe drejtori i policisë rajonale Nehat Thaçi", tha Lekaj.

I pranishëm në seancë ka qenë edhe babai i Nehat Thaçit.

Në bazë të fletëarresteve serbe, disa herë kanë rënë “viktima” ish-drejtuesit e luftës në Kosovë.

Ramush Haradinaj, ish komandant i Zonës Operative të Dukagjinit në periudhën e UÇK-së, kryetar i partisë politike AAK, në vitin 2015 ishte ndaluar nga autoritetet sllovene, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia, në vitin 2004.

Para Haradinajt, edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së dhe ish kryeministri Agim Çeku ishte ndaluar. Ai një herë është ndaluar në Slloveni, një herë në Bullgari dhe një herë në Kolumbi. Edhe Çeku ka fletëarrest nga Serbia për pjesëmarrje në luftën e Kosovës dhe në Kroaci. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG