Ndërlidhjet

Nikoliq: Marrëdhëniet Beograd-Prishtinë në nivelin më të ulët


Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, tha të mërkurën në Shën Petersburg, se marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës aktualisht janë “në nivelin më të ulët” duke vlerësuar se është qëllim i qartë i përfaqësuesve të BE-së që të ndihmojnë shqiptarët të marrin pavarësinë.

“Aktualisht jemi në nivelin më të ulët të marrëdhënieve sepse filloi sulmi i administratës së Prishtinës mbi pasurinë tonë në Kosovë. Edhe kjo mund të zgjidhet me marrëveshje, por mund të përfundojë edhe shumë keq sepse ne jemi të gatshëm që të përgjigjemi me çdo kusht. Ashtu si sillen shqiptarët në të ardhmen, ne do të përgjigjemi dhe të mos llogarisin se mund të luajnë me ne apo se prapë dikush do të na bombardojë”, tha Nikoliq.

Ai tha se “është qëllim i qartë i shqiptarëve që të fitojnë pavarësinë e tyre dhe qëllim i qartë i përfaqësuesve të BE-së që t’u ndihmojnë në këtë qëllim”.

Nikoliq tha se OKB-ja është “mbrojtësi i vetëm dhe mbrojtja e vetme” duke shtuar se “përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së asnjëherë nuk do të mund të kalojë ideja për pavarësinë e Kosovës”.

“Kemi problemin e madh të Kosovës dhe ky problem po ndikon në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. BE-ja e di që ne kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë (e Kosovës)”, citohet nga mediat serbe, Presidenti Nikoliq.

Sipas tij askush “nga zyrtarët e BE-së nuk ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por Parlamenti Evropian, që vendos gjithashtu për anëtarësimin e Serbisë, ka përfaqësuesit e tij që vazhdimisht flasin për atë se nuk do të marrë kurrë një vendim për anëtarësim derisa Serbia të mos e arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërshtetërore me Kosovën”.

Ai përkujtoi se në BE “janë ende 5 shtete anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës” duke shtuar se “ato nuk e kanë marrë këtë vendim për shkak të ndonjë miqësie të madhe me Serbinë, por sepse e kuptojnë se do të kishin edhe vet problem dhe nuk do të kishin pastaj ku të mbështeteshin” kur të “luftojnë për mbrojetjen e sovranitetit dhe integritetit të tyre territorial”, tha Nikoliq.

Presidenti i Serbisë tha se “me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së Serbia është shtet sovran në kuadër të së cilës është edhe Kosova, që ka autonomi thelbësore”.

"Por, secili presj përfaqësuesve të lartë të OKB-së të ndihmuar edhe nga forcat e NATO-s ka promovuar pavarësinë e Kosovës dhe ingerencat e Serbisë, një nga një, pa vullnetin e saj dhe pajtimin e saj, ia ka dorëzuar adminstratës së përkohshme në Prishtinë”, tha Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, citojnë mediat në Serbi.

XS
SM
MD
LG