Ndërlidhjet

Tahiri: BE-ja e ka listën me emrat e 1860 personave të pagjetur


Edita Tahiri

Edita Tahiri

Serbia nuk është treguar e gatshme që të paraqes listën për vendndodhjen e personave të pagjetur të luftës, ka deklaruar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Këto komente, ministrja Tahiri i ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe familjarët e personave të pagjetur.

Tahiri ka thënë se Prishtina i ka dorëzuar Brukselit listën me emrat e 1860 personave të pagjetur. Sipas saj, ditëve të fundit kishte një keqkuptim rreth kësaj liste.

Tutje, Tahiri ka thënë se lista me emrat e të pagjeturve nga Kosova është në Bruksel, por se Bashkimi Evropian ka kërkuar që të dorëzohen edhe listat e vendndodhjes së të zhdukurve. Këtë kërkesë, ka thënë Tahiri, nuk e ka përmbushur shteti serb.

Qeveria e Kosovës, ka vijuar ajo, vazhdimisht kërkon nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të tregoj vendndodhjen e personave të pagjetur.

“Është Serbia ajo që ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ka bërë zhdukjen e personave, andaj Serbia e dinë ku janë vendet dhe lokacionet e të pagjeturve”, ka thënë Tahiri.

Në dialogun e Brukselit është diskutuar çështja e të pagjeturve vetëm në një raund të bisedimeve në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG