Ndërlidhjet

logo-print

Dukuria e uzurpimeve të pronave private apo publike, të cilat kanë ndodhur menjëherë pas luftës në Kosovë, po përcillet me probleme të shumta, edhe tani pas 17 viteve.

Një numër i konsiderueshëm i këtyre pronave vazhdojnë të mbeten të uzurpuara nga qytetarët. Pronat e uzurpuara janë si ato private ashtu edhe ato publike.

Uzurpimet e ndërtesave të banimit, lokaleve e tokave në pronësi publike, janë dukuri e shprehur sidomos në kryeqytet.

Kohëve të fundit, autoritetet kanë filluar të bëjnë lirimin e këtyre pronave, por që, siç thonë ata, kanë hasur në vështirësi të mëdha.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë treguar se numri i banesave të uzurpuara, për të cilat është e informuar ndërmarrja dhe mbi të cilat ajo ka kompetencë, është rreth 180.

Ata, përmes një përgjigje dërguar në formë elektronike, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë filluar të bëjnë lirimin e banesave të cilat janë të uzurpuara dhe se ky proces do të vazhdojë deri në lirimin e të gjitha pronave.

“Deri më tani janë liruar 12 banesa, me urdhër për ekzekutim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Procesi është duke vazhduar në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi dhe aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për informim e kësaj ndërmarrjeje.

Uzurpime të banesave, sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje, thuhet të ketë pasur edhe të ndërtesave të cilat kishin mbetur të pa përfunduara për shkak të luftës në Kosovë.

“Fillimisht, ndërtesat duhet të lirohen me qëllim që të përfundohen punimet, meqë është fjala për një bllok banesor i cili ka mbetur i papërfunduar dhe nuk ka pëlqim teknik, gjë që paraqet rrezik për jetën e vet banorëve, si dhe qytetarëve të tjerë. Pastaj, duhet t'u dorëzohen pronarëve legjitim sipas kontratave të ndërtimit”, thonë zyrtarë të ndërmarrjes.

Procesi gjyqësor për lirimin e këtyre banesave thuhet të ketë filluar në vitin 2005 dhe se të gjitha vendimet e Gjykatës u janë komunikuar banorëve me shkresa të njëpasnjëshme.

Mënyra se si është bërë lirimi i këtyre banesave ka nxitur reagime të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë.

Largimi me dhunë i këtyre banorëve nga këto banesa, thonë udhëheqësit e Këshillit, është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se largimi i banorëve nga banesat në të cilat kanë jetuar për 17 vite, pa iu siguruar paraprakisht atyre strehim, paraqet shkelje të të drejtave të tyre.

“Jemi kundër këtij veprimi, përderisa nuk gjendet një zgjidhje për ta. Nëse iu gjejnë zgjidhje atëherë kanë të drejtë t’i largojnë. Për me keq, autoritetet kompetente nuk po zbatojnë ligjin për të gjitha pronat. Ata po merren me lirimin e uzurpimeve të vogla dhe jo atyre uzurpimeve të mëdha, ku janë politikanët”, thotë Shala.

Çështja e pronave të uzurpuara ka qenë një ndër sfidat më të mëdha që ka përcjell edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë bërë lirimin e disa pronave të uzurpuara, dhe se ky proces do të vazhdojë në ditët apo javët në vijim.

“Ne deri më tani kemi bërë hapa të konsiderueshëm. Prej 600 pronave që ne deri në dhjetor i kemi identifikuar si prona të uzurpuara në forma të ndryshme, deri më tani pjesa më e madhe e tyre kanë pranuar që të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale më agjencinë dhe t'i shfrytëzojnë ligjërisht ato. Kurse, për një pjesë është dashur të ndërmarrim hapa jo shumë të dëshirueshëm, përkatësisht që t’i lirojmë këto prona me polici”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, janë edhe 70 prona që mbeten të uzurpuara.

Aksionet për lirimin e pronave të uzurpuara në Kosovë, kryesisht përcillen me ndërhyrje të policisë së Kosovës, pasi që qytetarët në këto prona kanë kundërshtuar lirimin e tyre. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG