Ndërlidhjet

logo-print

Hahn: Zgjedhjet dhe reformat ta kthejnë Maqedoninë drejt BE-së


Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për ta kthyer Maqedonisë si shtet në rrugën e integrimeve euroatlantike, ka theksuar komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Por, sipas tij, me rëndësi po aq të madhe është dhe realizmi i reformave të theksuara në raportin e Pribesë si dhe jetësimi i marrëveshjes politike të njohur si marrëveshja e Përzhinos. Këto komente, Hahn i ka bërë pas takimeve që zhvilloi në Shkup me liderët politik dhe Prokuroren Publike Speciale.

Ai ka theksuar gjithashtu se është shumë e rëndësishme që procesi zgjedhor në Maqedoni të realizohet mirë, në mënyrë që të mos ketë vend për kritika.

“ODIHR (Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut) dhe shumë organizata tjera do të jenë këtu që të vëzhgojnë dhe pastaj do të japin vlerësimin për zgjedhjet. I ftova të gjithë që të kujdesen që PSP ta kryej punën e saj ashtu si duhet dhe ashtu si bëhet kjo nëpër Evropë”.

“Është me rëndësi që të respektohet sundimi i ligjit. Nga të gjithë kam marrë besimin se ekipit të PSP-së do t`i mundësohet që ta kryej punën e saj. Ka progres edhe në raport me mediet dhe kjo është me rëndësi”, ka thënë Hahn.

Ndërkaq duke folur për kërkesën e formimit të një departamenti të veçantë në Gjykatën Penale e cila do të duhet të procedojë lëndët e Prokurorisë Speciale, Hahn ka dëgjuar më shumë ide nga ana subjekteve politike të Maqedonisë.

“Më duhet të them se është shumë e rëndësishme që çdo pjese të sistemit gjyqësorë, veçanërisht Prokuroria Speciale publike, t’i krijohen dhe garantohen kushte për të vepruar në formë të pavarur”, ka theksuar Hahn.

Sipas tij, Prokuroria Speciale vazhdon të ketë përkrahjen e ndërkombëtarëve, ndonëse ai nuk është përgjigjur se çfarë do të ndodhë me propozim- ligjet e kërkuara nga Prokuroria Publike Speciale si institucion.

Ndërkaq pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë Emill Dimitriev, Euro Komisionari Johannes Hahn në profilin e tij në Twitter, ka theksuar se organizimi i zgjedhjeve të besueshme është alternativa e vetme për daljen e vendit nga kiza e thellë politike në të cilën ndodhet Maqedonia si shtet.

Ndërkaq menjëherë pas takimit që ka realizuar me euro-komisionerin Johanes Han, prokurorja Speciale Publike e Maqedonisë Katica Janeva është shprehur e bindur se ka kohë të mjaftueshme që Parlamenti para shpërndarjes të votojë ligjet e propozuara nga institucioni që përfaqëson, siç është Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe vazhdimin e funksionimit të këtij institucioni.

“Shpresoj që Parlamenti i Maqedonisë do t'i miratojë këto ligje para se të shpërndahet”, ka theksuar prokurorja Katica Janeva duke bërë të ditur se me euro komisionarin Hahn, nuk ka biseduar për departamentin special në gjykatë, pasi kjo nuk është në kompetencë të saj.

Lideri i Partisë Demokratike shqiptare në opozitë Menduh Thaçi, ndonëse deputet e partisë së tij para një javë nuk i mbështetën ligjet që kërkoi Prokuroria Speciale, kësaj radhe tha se mbështetja do të vjen tani.

“Po sigurisht që do t’i votojmë këto ligje (ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike). Ne jemi parti opozitare etnike dhe tërë kohën jemi të kujdesshëm që vota jonë në asnjë moment të mos interpretohet si lidhje me një parti maqedonase. Keqkuptimi herën e kaluar kishte të bënte me këtë. Por, tani do t`i votojmë këto ligje”, ka thënë Menduh Thaçi.

Ai ka deklaruar po ashtu se partia e tij nuk do t`i njoh rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme nëse vërtetohen parregullsi.

Nga partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë përmes një deklarate me shkrim ka bërë të ditur se lideri i saj partie Zoran Zaev e ka siguruar komisionerin Han se do të mbështes punën e Prokurorisë Speciale Publike si dhe ligjet e kërkuara.

“Kryetari Zoran Zaev konfirmoi edhe një herë mbështetjen e LSDM-së ndaj ligjeve të cilat i kërkon Prokuroria Speciale”, theksohet në komunikatë.

Përderisa nga VMRO- DPMNE e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski nuk kanë njoftuar se çfarë qëndrime janë paraqitur para komisarit Hahn rreth kërkesave të Prokurorisë Speciale.

Ndërkaq lideri i Partisë Shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se partia e tij nuk do të mbështes miratimin e ligjeve që ka kërkuar Prokuroria Speciale Publike pasi që, sipas tij, kjo nënkupton marrëveshje të re, për të cilën siç u shpreh Ahmeti, nuk ka kohë.

“Që të votohen këto ligje patjetër duhet takim liderësh. Të ulen liderët e katër partive në tavolinën e bisedimeve dhe të merren vesh rreth këtyre ligjeve. Për të miratuar ligje të reja nevojitet një marrëveshje e re. Aktualisht koha nuk premton për të bërë negociata mbi një marrëveshje të re”, ka theksuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Liderët e katër partive politike kryesore nënshkruese të marrëveshjes politike të Përzhinos gjatë takimit me komisionarin për Zgjerim Johannes Hahn, kanë theksuar se janë të gatshme të futen në zgjedhje më 11 dhjetor.

Komisioneri Johanes Hahn, gjatë qëndrimit në Shkup ka realizuar dhe një takim me Organizatat joqeveritare të Maqedonisë, duke u fokusuar në çështjen e zgjidhjes së krizës politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG