Ndërlidhjet

Rezultatet jozyrtare: Partia properëndimore e Malit të Zi fiton zgjedhjet

  • RFE /RL

Kryeministri, Milo Gjukanoviq, në një tubim zgjedhor në Podgoricë

Kryeministri, Milo Gjukanoviq, në një tubim zgjedhor në Podgoricë

Mali i Zi ka përmbyllur votimet në zgjedhjet parlamentare, që janë parë si jetike për vendin në vendimin e tij për të vazhduar rrugën perëndimore apo për t’iu kthyer aleatit Rusisë. Në zgjedhje kanë marrë pjesë mbi 73 për qind e votuesve nga mbi 530 mijë votues të regjistruar.

Në bazë të rezultateve paraprake të Qendrës për Vëzhgim dhe Hulumtim (CeMI), nga të dhënat e kopjeve të materialit zgjedhor, Partia Demokratike e Socialistëve, e kryeministrit Gjukanoviq ka fituar shumicën e votave duke dalë partia e parë në zgjedhje me mbi 40 për qind (36 vende në Parlament), ndërkohë që partia në opozitë Fronti Demokratik ka marrë mbi 20 për qind të votave (18 vende në Parlament).

Sipas rezultateve të deritashme Lista “Shqiptarët të vendosur”, e koalicionit tre partiak, ka arritur që të sigurojë një vend në Parlament.

Në bazë të vlerësimeve të Qendrës për Tranzicion Demokratik, asnjëra parti politike nuk ka arritur që të fitojë shumicën absolute për të krijuar e vetme qeverinë.

Ka patur një numër ankesash për incidente gjithandej vendit.

Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë pritet që të dalin me raportin e paraprak për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, ditën e hënë.

Misionin vëzhgues ndërkombëtar e përbëjnë 200 vëzhgues nga 39 vende, nga të cilët 143 vëzhgues afatgjatë e afatshkrutër nga OSBE/ODIHR, 43 parlamentarë dhe përfaqësues të OSBE-së dhe 14 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Mali i Zi me zgjedhje vendos ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë

Mali i Zi ka votuar në zgjedhjet parlamentare që përcaktojnë nëse shteti i vogël Ballkanik do të vazhdojë rrugën e tij Perëndimore apo do të kthehet tek aleati tradicional Rusia.

Vendvotimet u mbyllën në ora 20 dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe organizatat joqeveritare, që i vëzhguan ato, thanë se pjesëmarrja ishte më e larta e shënuar.

Mali i Zi organizoi zgjedhjet e katërta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë së vendit, dhjetë vjet më parë.

Komisioni Zgjedhor tha se rreth 530 mijë malazezë me të drejtë vote kanë patur mundësi të votojnë për 17 lista zgjedhore me 34 parti politike.

Partia Demokratike e Socialistëve, e kryeministrit actual Milo Gjukanoviq, është përballur me grupet opozitare pro-ruse dhe pro-serbe të cilat fuqishëm kundërshtojnë politikat pro-përndimore të qeverisë dhe posacërisht anëtarësimin në NATO

Rezultati mund të rrezikojë politikat e zgjerimit të NATO-s dhe BE-së në Evropën Juglindore dhe mund të jetë vendimtar në përpjekjet e Kremlinit të rifitojë ndikimin në rajonin strategjik të Ballkanit, shkruan Reuters.

Aleanca perëndimore e ftoi, vitin e kaluar, vendin e vogël prej 620 mijë qytetarësh që t’i bashkohet pjesërisht për shkak të shqetësimeve për ndikimin rus në Mal të Zi, që ka lidhje të forta kulturore dhe komerciale me aleatin e tij Ortodoks.

XS
SM
MD
LG