Ndërlidhjet

Vazhdojnë dilemat për mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit


Shkup...
Shkup...

Kuvendi i Maqedonisë të hënën pritet të shpërndahet bazuar në marrëveshjen ndërmjet partive politike për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 11 dhjetor, apo 60 ditë para mbajtjes së tyre, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

Kjo do të jetë shpërndarja e tretë brenda këtij viti, pasi dy datat e caktuara më parë për mbajtjen e zgjedhjeve, më 24 prill dhe 5 qershor, kishin dështuar për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive për zbatimin e pikave të marrëveshjes, duke bërë që sërish të vënë në funksion punën e institucionit ligjvënës, pavarësisht pretendimeve të shumta të ekspertëve për shkelje drastike të Kushtetutës.

Se a do të ketë zgjedhje më 11 dhjetor, është vështirë të thuhet, duke marrë parasysh sërish përplasjet mes partive, në veçanti për Prokurorinë Speciale, puna e së cilës vazhdon të mbetet zvarrë për shkak të taktizimit të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar një nismë, me të cilën kërkohet shfuqizimi i Ligjit për themelimin e saj.

Në rast të miratimit të një kërkese të tillë, zgjedhjet vështirë të mbahen pasi opozita mbajtjen e tyre e kushtëzon me vazhdimin e punës së këtij institucioni, i cili po heton mbi 60 zyrtarë për vepra të rënda penale, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski.

Por, njohësit e çështjeve politike, janë të bindur se kësaj radhe zgjedhje do të ketë pasi vendi ndodhet një kohë të gjatë në krizë dhe çdo shtyrje e mëtejmë do të kishte pasoja të paparashikueshme, jo vetëm për stabilitetin politik, por edhe atë të sigurisë.

“Mendoj se shtyrja e zgjedhjeve të 11 dhjetorit është një çështje shumë e vështirë dhe vlerësoj se nuk do të ndodhë. Këtë e bazoj në gjendjen aktuale ku vendi një kohë të gjatë është në krizë të thellë".

"Sa i përket Prokurorisë Speciale mendoj se presionet ndaj këtij institucioni do të vazhdojnë deri në ditën e zgjedhjeve. Prandaj, mendoj se është me rëndësi që sa më parë të përgatitet tereni, pasi ka edhe çështje tjera që duhet kushtuar vëmendje për mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e përcaktuar”, thotë Nikolla Dujoski, analist dhe profesor në Universitetin “Fon” të Shkupit.

Në këtë drejtim, Mersel Bilalli, ish-deputet dhe njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pengesa do të ketë, porse zgjedhjet doemos duhet të mbahen.

“Nëse marrim parasysh të gjithë paramenduarat, në veçanti presionin e jashtëm, vlerësoj se ka gjasa që zgjedhjet të mbahen, por hapat që ndërmerren nga ana e pushtetit, janë në drejtim të shtyrjes së zgjedhjeve. Por, kjo mendoj se do ta dramatizonte edhe më tej situatën, në të cilën ndodhet vendi”, vlerëson Bilalli.

Ndërsa, sa i përket punës së Prokurorisë Speciale, ekspertët thonë se puna e Prokurorisë Speciale, jo vetëm që nuk duhet të pengohet, por duhet të miratohen edhe dy kërkesat e saj, për vazhdimin e mandatit pas skadimit dhe miratimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve që të mund të nisë hetimet edhe për rastet më të ndjeshme ,“Monstra”, “Sopoti” dhe “Neshkovski”.

“Meqë u pa se bëhet fjalë për lëndë të komplikuara, vlerësoj se nuk do të ishte e drejtë që këto raste të mos mund të prokurohen për shkak të afateve, apo mosmiratimit të ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Prokuroria Speciale. Puna e saj duhet të vazhdojë pa pengesa, për të zbardhur të gjitha rastet e aferës së përgjimeve”, thotë Gordan Kallajxhiev, ekspert i së Drejtës Kushtetuese.

Për rëndësinë e vazhdimit të punës së Prokurorisë Speciale dhe mbajtjen e zgjedhjeve foli edhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i BE-së, Johanes Hahn, gjatë vizitës të premten në Maqedoni.

Ai kërkoi angazhim nga të gjitha partitë që t’i përmbahen marrëveshjes së arritur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për dhënin fund të krizës, e cila po zgjat tash një vit e gjysmë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG