Ndërlidhjet

Kosova e “rrezikuar nga terrorizmi”, por pa nisma për pengimin e ideologjive


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një aksioni anti-terrorizëm (Foto nga arkivi)
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një aksioni anti-terrorizëm (Foto nga arkivi)

Autoritetet në Kosovë thonë se mekanizmat përkatës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për të “mos lejuar sulme të mundshme terroriste në vend”.

Ato thonë se “Kosova, si edhe shumë vende të tjera, vazhdon të jetë e rrezikuar nga sulmet terroriste”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se fakti që deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të ndonjë sulmi, tregon se mekanizmat vendorë të sigurisë janë duke punuar në këtë fushë.

"Sulmet terroriste janë dinake dhe në asnjë moment ne nuk duhet të ndihemi rehat dhe të sigurt në kuptimin e plotë të fjalës. Bazuar në aktivitetet tona, kryesisht të mekanizmave të sigurisë, Policisë, Agjencisë së Inteligjencës dhe mekanizmave të tjerë që kanë të bëjnë me mekanizmat e sigurisë, ne besojmë se situata është e qetë", tha Hoxha.

Ai, po ashtu, theksoi se autoritetet e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, kanë bashkëpunim të mirë edhe me faktorët relevant ndërkombëtarë.

"Kemi arritur që në vitin e fundit të mos lejojmë që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës t’i bashkohet luftërave në Lindje të Mesme. Besojmë se është një rezultat i prekshëm", shtoi Hoxha.

Por, për organizatat që kanë njohuri në fushën e sigurisë, Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga, siç thuhet, “sulmet terroriste” siç ka qenë edhe më herët.

Skënder Përteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht asaj që në Kosovë nuk ka pasur sulme terroriste, institucionet duhet të punojnë dhe të mos lejojnë që diçka e tillë të ndodhë.

"Niveli i kërcënimeve mbetet i njëjtë. Autoritet e sigurisë duhet t'i kenë të njëjtat reagime ose të njëjtat aktivitete, siç i kanë bërë deri tash në përgjithësi. Pse ka rënë trendi i shkuarjes [së kosovarëve në Lindje të Mesme ] nuk do të thotë se ka rënë trendi i rrezikut. Në të njëjtën kohë vazhdimi i politikave publike që lidhen me parandalimin dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, duhet të vazhdojë", vlerësoi Perteshi.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës në fillim janë marrë me luftim të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, tash prioritet duhet të bëhet parandalimi dhe riintegrimi. Sipas tij, për integrimin e personave që kanë qenë pjesë e luftërave në Siri e Irak, nuk ka dhe nuk është bërë asnjë aktivitet.

Çështja e integrimit dhe radikalizmit është prioritet kryesor. Ka dalë prioritet kryesor edhe në Strategjinë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, por në ketë drejtim aktivitetet janë zero. Do të thotë ende nuk ka një iniciativë serioze apo konkrete që si qëllim ka luftimin e ideologjisë apo riintegrimin e personave që janë rikthyer. Do të thotë përveç arrestimeve, burgjeve, nuk ka iniciative konkrete", theksoi Përteshi.

Prokuroria Speciale e Kosovës, gjatë kësaj jave ngriti aktakuzë kundër dy personave nën dyshimet për veprën penale "bashkim apo pjesëmarrje në grupet e caktuara në konfliktet e armatosura jashtë territorit të Kosovës".

Prokuroria tha se të “akuzuarit” kanë bërë vepër të “nxitjes dhe propagandimit për bashkim me organizatat dhe grupet e caktuara jashtë territorit të Kosovës”, përmes “mjeteve të caktuara të informacionit”.

Autoritetet e sigurisë në vend, por edhe organizatat joqeveritare, thonë se prej vitit 2012, mbi 300 shqiptarë të Kosovës u përfshinë në luftimet në Siri dhe Irak.

Aktualisht, thonë autoritetet në Prishtinë, rreth 70 qytetarë nga Kosova ndodhen në këto vende, ndërkohë që nga viti 2013, Policia e Kosovës ka hapur hetime për mbi 200 persona. Sipas shënimeve zyrtare, janë arrestuar 119 persona dhe deri tash janë dënuar 35 prej tyre.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin që ua ndalon “qytetarëve të Kosovës bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie”. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG