Ndërlidhjet

Proceset e hapura gjyqësore, aktakuzat e ngritura, apo edhe vuajtja e dënimit me burg, nuk po i pengojnë disa nga kryetarët aktualë të komunave të Kosovës që të ushtrojnë funksionin e tyre.

Aktakuzat që rëndojnë mbi këta udhëheqës lokalë kryesisht kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë theksojnë se ky fenomen pengon zhvillimin dhe funksionimin e qeverisjes lokale.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e quan të pashpjegueshme se si një numër i kryetarëve të komunave vazhdojnë të jenë në procedura hetimore apo të burgosur dhe njëkohësisht të qeverisin komunat përkatëse. Qeverisja me këta kryetarë, thotë ai, që shumicën e kohës e kalojnë nëpër procese gjyqësore, nuk mund të jetë efikase dhe model i qeverisjes së mirë.

“Por, në Kosovë tashmë është shndërruar në standard që një kryetar i suksesshëm mund të konsiderohet vetëm ai që mund të ketë ndonjë aktakuzë dhe tani gara në mes tyre është çfarë aktakuze kanë, dhe mos eventualisht kanë akuza edhe për krim të organizuar”, thekson Musliu.

Organizata joqeveritare Iniciativa për Progres, që njihet me akronimin INPO, kryesisht përcjellë nga afër funksionimin dhe punën në nivelet lokale të qeverisjes.

Albulena Ndrecaj, drejtore ekzekutive në këtë Iniciativë, për Radion Evropa e Lirë shprehet se këto veprime ndikojnë në qeverisjen lokale, duke zvarritur përparimet për zhvillimin e komunave përkatëse.

Ajo vlerëson se mbajtja e posteve, pavarësisht proceseve apo edhe vendimeve gjyqësore, ka si efekt edhe humbjen e besimit të qytetarëve karshi komunave përkatëse.

“Ata (kryetarët e komunave) kohën e tyre e harxhojë duke u marrë me procese gjyqësore dhe duke u munduar që të organizojnë dhe strukturojnë mbrojtjen e tyre. Në këtë mënyrë nuk mund të themi se angazhimi i tyre është serioz apo qind për qind, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç e kanë marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur me komunën”, ka thënë Ndrecaj.

Ndërkohë, zëvendësministri i pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje ndikon në funksionimin e komunave, por, sipas tij, ligji ekzistues në Kosovë e mundëson që të ushtrohet funksioni deri sa vendimi është i plotfuqishëm.

“Vendimi për këta individë duhet të jetë i plotfuqishëm. Pra, është ligji në shprehje dhe ne duhet t’i respektojmë ato vendime”.

“Nëse kryetarët e komunave janë të involvuar në procese gjyqësore, natyrisht se kjo pengon punën e tyre. Por, megjithatë, shumica e tyre e ushtrojnë atë funksion deri sa vendimi të jetë definitiv”, thekson Gecaj.

Në anën tjetër, Betim Musliu thotë se në vendet demokratike kjo çështje nuk do të lejohej të ndodhte nga vet partitë politike, të cilat, sipas tij, përmes kodeve, nuk i lejojnë kandidatët e tyre që kanë probleme me ligjin të jenë pjesë e listave zgjedhore.

“Në këtë rast, burimi i të këqijave janë partitë politike, të cilat për shkak të interesave të ndryshme vazhdojnë të mbajnë individë edhe me aktakuza, edhe me dënime të shkallëve të para”, shprehet Musliu .

Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë që kryetarët e komunave të Kosovës - që përballen me akuza nga organet e drejtësisë - të japin dorëheqje dhe ky vendim, sipas tyre, të kërkohet nga vetë partitë politike.

Disa nga kryetarët që kishin apo kanë probleme me organet e drejtësisë janë Xhabir Zharku, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i cili vazhdon të qëndrojë në arrati, pasi ishte shpallur fajtor për një vepër penale, duke iu shqiptuar dënimi me tri vite burgim.

Sami Lushtaku, kryetar i komunës se Skenderajt, ndërkaq, po e mban dënimin prej 12 vitesh burg për krime lufte.

Kurse, edhe Nexhat Demaku, kryetar i Komunës se Drenasit, është dënuar me tri vite burgim.

Pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit vazhdon ta mbajë Ramadan Muja, edhe pse gjykata e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim dhe korrupsion në këtë komunë.

Së fundmi, aktakuza janë ngritur edhe ndaj kryetarit të Klinës, Gjilanit, si dhe atij të Mitrovicës. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG