Ndërlidhjet

Qeveria kërkon nga Kushtetuesja pezullimin e likuidimit të Trepçës


Qeveria e Kosovës, ka parashtruar të martën kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për një masë të përkohshme me të cilën do të ndalonte të gjitha procedurat për likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Besnik Berisha, këshilltari i jashtëm për çështje të drejtësisë i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai më herët duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar përmbajtjen e kërkesës së Qeverisë së Kosovës për Gjykatën Kushtetuese.

“Qeveria e Kosovës, ka parashtruar kërkesën për përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga deputeti Slavko Simiq dhe të tjerët nga Lista Serbe, për të kundërshtuar pretendimet e tyre”, ka thënë Berisha.

“Po ashtu për të kërkuar nga gjykata, që sipas detyrës zyrtare të caktojë masë të përkohshme për të suspenduar dhe ndaluar të gjitha procedurat lidhur me likuidimin e ndërmarrjes Trepça, deri në vendosjen meritore të kësaj çështje”, theksoi Berisha.

Por, cilat janë procedurat që Gjykata Kushtetuese mund të ndjekë lidhur me rastin e kërkesës së Qeverisë së Kosovës për një masë të përkohshme për suspendimin dhe ndaluar të gjitha procedurat lidhur me likuidimin e ndërmarrjes Trepça?

Visar Morina, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, qoftë në kuptimin e detyrës zyrtare, qoftë me kërkesë të palës, ka autoritetin e saj ligjor që të shqiptojë masë të përkohshme për çështjen që është objekt shqyrtimi në këtë rast.

“Nëse i referohemi Nenit 27 për Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mes tjerash, potencohet që kjo gjykatë, qoftë sipas detyrës zyrtare apo edhe me kërkesë të palës, në këtë rast, mund të vendos përkohësisht masë të përkohshme ndaj çështjeve që janë objekt i procedurës së shqyrtimit para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nëse, natyrisht, konsideron se çështja mund të prodhojë rreziqe ose dëme të pariparueshme apo edhe nëse marrja e masave të tilla është në interesin publik”, ka thënë profesor Morina.

Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës lidhur me këtë çështje nuk mund të paragjykohet, por çështja e Trepçës, sipas tij, është çështje me interes mjaft të madh publik.

“Unë mendoj që, duke qenë se çështja është bukur e rëndësishme dhe është në interesin e publik të vet Republikës së Kosovës, ka shumë mundësi reale që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin për masën e përkohshme, për një periudhë të caktuar kohore, në mënyrë që të pezullojë, përkohësisht, të gjitha procedurat e likuidimit të ndërmarrjes ‘Trepça’ deri në marrjen e vendimit përfundimtar lidhur me këtë çështje”.

Javën e kaluar, përfaqësuesit e Listës Serbe, të prirë nga kryetari i saj, Slavko Simiq, kanë deponuar te Gjykata Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit.

Deputetët e kësaj liste në Kuvendin e Kosovës, siç ka thënë Simiq, nuk janë pajtuar me miratimin e këtij ligji.

Tani mbetet që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në mënyrë të përshpejtuar të trajtojë lëndën që do të procedojë Qeveria e Kosovës si dhe atë të Listës Serbe për Ligjin mbi Trepçën dhe të jap interpretimin e parë ligjor (masën suspenduese) para datës 2 nëntor, pasi kjo datë është afati i fundit kohor kur Trepça mund të shkojë në likuidim. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG