Ndërlidhjet

Me shumë paqartësi, Maqedonia shkon në zgjedhje më 11 dhjetor


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Një ditë pas shpërndarjes së Kuvendit të Maqedonisë, kryetari i deritanishëm i këtij institucioni ligjvënës, Trajko Veljanovski ka dekretuar 11 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai tha se në periudhën deri në mbajtjen e zgjedhjeve do të ketë aktivitete të shumta partiake, të cilat beson se do të kalojnë në një atmosferë që do ta garantonte zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Republika e Maqedonisë po hyn në një periudhë ku e presin aktivitete të shumta të partive politike, periudhë kjo e cila sinqerisht besoj se do të kalojë në një atmosferë të dinjitetshme, kulmi i së cilës do të jenë zgjedhjet më 11 dhjetor, kur me një frymë festive do të duhet të zgjidhen përfaqësuesit e popullit, të cilët do ta formojnë përbërjen e re parlamentare, të nëntën me radhë të Kuvendit të Maqedonisë”, tha Veljanovski.

Zgjedhjet organizohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Veljanovski pati një takim me kryetarin e këtij institucioni, Aleksandar Çiçakovski, por ai nuk u prononcua për media lidhur me shumë çështje të mbetura pezull, mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si me listat zgjedhore. Po ashtu, ai nuk ka komentuar faktin se jashtë listave zgjedhore kanë mbetur rreth 30 mijë votues, kryesisht shqiptar, si dhe për mosbalancimin e gjashtë njësive zgjedhore, një prej të cilave paraqitet po ashtu me rreth 30 mijë votues më shumë sesa një njësi tjetër zgjedhore.

Partitë deri në momentet e fundit të shpërndarjes së Kuvendit nuk arritën të merren vesh për këto çështje, duke e lënë të hapur mundësinë e ndonjë nisme për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tërë procesit.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se nismë mund të ketë, por bazuar në punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, vështirë se do të merrej parasysh ajo. Ai konstaton edhe shkelje tjera të Kushtetutës.

“Natyrisht se mund të iniciohet procedurë para Gjykatës Kushtetuese dhe ajo të merr vendim përfundimtar se ka ose jo shkelje të ligjit apo Kushtetutës. Por, duke marrë parasysh përbërjen e gjykatësve të kësaj gjykate, dyshoj. Këtu ka edhe shkelje tjera, përfshirë edhe vet shpërbërjen e Kuvendit, pasi shpërbërja duhej të bëhej 60 ditë nga dita kur shpallen zgjedhjet e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Edhe këtu kemi shkelje të Kushtetutës”, thotë Kadriu.

Sipas tij, i tërë procesi zgjedhor po zhvillohet me dilema të shumta, që si qëllim mund të kenë dështimin e tyre, ndërsa apostrofon këtu edhe mos shqyrtimin e nismës së kësaj gjykate për punën e Prokurorisë Speciale.

Në marrëveshjen e partive politike qëndron se në rast se kushtetuesja e shfuqizon ligjin për themelimin e këtij institucioni, atëherë partitë brenda 5 ditëve duhet të miratojnë zgjidhje të re ligjore, e cila do të mundësonte vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale. Por, kjo do të jetë e pamundur të bëhet për shkak të shpërndarjes së Kuvendit. Pra, nuk do të ketë institucion që do të miratonte ligj të ri për Prokurorinë Speciale.

Ekspertët thonë se bazuar në këtë gjendje të status-quos, por edhe të retorikës nxitëse që tanimë ka filluar nga partitë politike, nuk përjashtohet mundësia që gjithçka të jetë e orkestruar për dështimin e sërishëm të zgjedhjeve.

“Ata do të bëjnë diçka që sërish të mos ketë zgjedhje, ose të mos pranohen zgjedhjet. Do të bëjnë ndonjë skandal brenda procesit zgjedhor që ato të anulohen, të prishen, që të vie në pikëpyetje rezultati final i zgjedhje, pra edhe për këtë variant ato punojnë”, thotë Osman Kadriu, njohës i çështjeve kushtetuese.

Zgjedhjet - tanimë të caktuara më 11 dhjetor - po përcillen me vëmendje nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht apelojnë për respektimin e të gjitha pikave të marrëveshjes politike, për dhënien fund të krizës në vend. Këto zgjedhje pritet të ketë edhe një numër rekord të monitoruesve ndërkombëtarë. (REL)

XS
SM
MD
LG