Ndërlidhjet

Federata e Futbollit të Kosovës: Nuk jemi për racizëm

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Federata e Futbollit të Kosovës gjendet para përballjes me masa disiplinore, të cilat i ka nisur Federata Botërore e Futbollit (FIFA). Së bashku me Kosovën, para këtyre masave gjendet edhe Federata e Futbollit të Kroacisë, për shkak se grupet e tifozëve të të dyja vendeve, para takimit në Shkodër, më 6 tetor, kanë brohoritur parulla të drejtuar kundër serbëve, sikurse: "Mbyte, mbyte serbin“.

Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, e ka dënuar sjelljen e tillë të tifozëve, duke thënë se sjelljet e tilla, të cilat e dëmtojnë futbollin, nuk do të tolerohen në të ardhmen.

Siç thotë ai, tifozëve tashmë u është tërhequr vërejtja.

"Natyrisht që nuk na ka ardhur mirë për ato që kemi dëgjuar, por ata janë tifozë. Për këtë ekzistojnë procedurat e FIFA-s, por ne nuk dëshirojmë që një gjë e tillë të përsëritet. Ne nuk jemi për racizëm. Ne jemi për futboll, jemi federatë e futbollit të Kosovës dhe nuk dëshirojmë kurrfarë politike ta përziejmë në futboll“, thotë Ademi.

Ademi pret që FIFA ta ketë parasysh përfaqësuesen e Kosovës, e cila është në fillimin e saj edhe si "nikoqire”.

“Janë kushtetutat e UEFA-s dhe FIFA-s. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Është i mundur dënimi, por shpresoj që nuk do të jetë më i madhi. Ne jemi në fillim dhe ne nuk kemi qenë iniciues të gjithë kësaj”, ka thënë Ademi.

Takimi ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror të futbollit "Rusia 2018“, është zhvilluar në Shkodër të Shqipërisë, për shkak se stadiumi në Prishtinë është duke u riparuar. (REL)

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG