Ndërlidhjet

Liderët në SHBA të zemëruar me deklaratat e Trumpit për rezultatin zgjedhor


Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump
Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump

Liderët në Shtetet e Bashkuara, nga radhët e të dy partive politike, kanë shprehur zemërimin e tyre, mbi komentet e kandidatit republikan për president, Donald Trump, i cili ka refuzuar të thotë 'nëse do ta pranojë rezultatin zgjedhor në rast të humbjes në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit'.

Presidenti Barack Obama e quajti të “rrezikshëm” pohimin e Trumpit se zgjedhjet janë “të manipuluara” dhe kjo, me sa duket, 'për shkak se sondazhet tregojnë se kundërkandidatja e tij demokrate, Hillary Clinton është shumë më përpara tij'.

“Kur ju përpiqeni të mbillni dyshim në mendjen e njerëzve lidhur me legjimitetin e zgjedhjeve tona, kjo gjë dëmton demokracinë tonë”, ka thënë Obama.

“Kur ju sugjeroni se ka manipulim apo mashtrim pa ofruar asnjë provë ...Trump bëhet i nominuari i parë i një partie të madhe në historinë e Amerikës që sugjeron se ai nuk do të pranojë rezultatin pavarësisht humbjes ... kjo çështje nuk është shaka”, ka thënë presidenti Obama.

Kryetari i dhomës së përfaqësuesve të SHBA-së, Paul Ryan, përmes zëdhënësit të tij ka thënë se “demokracia jonë varet në besimin në rezultatet zgjedhore dhe zoti Ryan është i sigurt se shtetet do t’i organizojnë këto zgjedhje me integritet”.

Senatori republikan John McCain, i cili në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, u mposht nga Obama ka thënë se “mua nuk më pëlqeu rezultati i zgjedhjeve të vitit 2008. Por e kam pasur për obligim që ta pranojë atë dhe e kam bërë pa ngurrim. Koncesioni është akt i respektit për të mirën e amerikanëve, një respekt që është përgjegjësia e parë e çdo lideri amerikan”, ka thënë McCain. (REL)

XS
SM
MD
LG