Ndërlidhjet

Rusia e refuzoi vëzhgimin e zgjedhjeve në SHBA në kuadër të OSBE-së

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Rusia ka kërkuar leje nga disa shtete amerikane për dërgim të vëzhguesve në zgjedhjet presidenciale dhe legjislative më 8 nëntor, por së paku tri shtete e kanë refuzuar këtë.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar mbrëmë vonë se Rusia është e mirëseardhur për observim të zgjedhjeve, por Moska e ka hedhur poshtë ftesën e Shteteve të Bashkuara, që Rusia të përfshihet në ekipin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që i monitoron zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

“Ne i thamë qeverisë së Rusisë se ata janë të mirëseardhur për t’i observuar zgjedhjet tona”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, dhe ka shtuar se “ne jemi shumë të sigurt në stabilitetin, sigurinë dhe forcën e procesit tonë zgjedhor dhe nuk ka nevojë për fshehje nga kjo”.

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë asgjë për tu frikësuar nga prania e observatorëve rusë në zgjedhjet” amerikane, por theksoi se “fakti se ata kanë zgjedhur që të mos i bashkohen misionit observues të OSBE-së e bënë të qartë se kjo çështje nuk është asgjë më tepër se një paraqitje” për reklamim publik.

Njëherësh, Ambasada e Rusisë ka kërkuar leje së paku në tri shtete amerikane për dërgimin e monitoruesve në vendvotime, por këto shtete e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë.

Autoritetet në shtetet Okllahoma, Teksas dhe Luiziana, kanë njoftuar se ato e kanë refuzuar kërkesën nga Rusia për pranimin e vëzhguesve.

Zyra e sekretarit shtetëror në Okllahoma ka njoftuar se e kishte marrë një letër në muajin gusht nga Konsullata e përgjithshme e Rusisë në Hjuston, duke kërkuar që njëri prej përfaqësuesve të saj të jetë i pranishëm në një vendvotim për ta studiuar “përvojën e Shteteve të Bashkara në organizimin e procesit votues”.

Por, shteti Okllahoma e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, duke shpjeguar se legjislacioni në fuqi nuk e lejon pjesëmarrjen e askujt, me përjashtim të zyrtarëve zgjedhorë dhe votuesve, që të jenë të pranishëm derisa mbahen votimet.

Teksasi dhe Luiziana, po ashtu, kishin arsye të ngjashme për ta refuzuar praninë e përfaqësuesve rusë në vendvotimet për zgjedhjet presidenciale dhe legjislative në Shtetet e Bashkuara më 8 nëntor.

E përditshmja ruse, Izvestia, e ka cituar jë zyrtar rus që ka thënë se kërkesat ishin refuzuar për shkak të “tendencave rusofobe”.

Interesimi i befasishëm i Rusisë për procesin e votimit në Shtetet e Bashkuara po bëhet në periudhën kur hakerët e mbështetur nga Rusia, kanë depërtuar në sistemet në Internet të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkara dhe kanë publikuar emaila dhe dokumente, në përpjekje për të ndikuar në favor të kandidatit republikan në zgjedhjet presidenciale amerikane, Donald Trump, për të cilin thuhet se është rusofil.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG