Ndërlidhjet

Thaçi: BE dhe NATO të veprojnë më shpejtë për integrim të rajonit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Në Prishtinë ka vazhduar sot dita e dytë e punimeve të Seminarit të 93-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin po marrin pjesë rreth 100 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Pjesëmarrësve në seminar u është drejtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në fjalimin e tij ka përshkruar proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga çlirimi i saj e deri në ditët e sotme.

Presidenti Thaçi, duke folur për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, ka thënë se falë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashikimit Evropian, marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve më nuk paraqesin kërcënim për sigurinë në rajon.

Megjithatë, ai ka theksuar nevojën për një nivel tjetër të dialogut me Serbinë, për të biseduar për çështje më të avancuara, për të pasur përmbyllje të procesit të fqinjësisë, të bashkëpunimit dhe pajtimit ndërshtetëror dhe ndërmjet popujve të dy vendeve. Sipas tij, Kosova është e gatshme për një gjë të tillë.

“Kosova është e gatshme për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim apo në kohën e ardhshme të afërt, ta vejmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë."

"Falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunimit, sot, marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon. Por, mund të them, mund të jenë fare lehtë edhe shembull i bashkëpunimit konstruktiv”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi, po ashtu, ka thënë se procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor i ka inkurajuar vendet e rajonit dhe e ka kthyer besimin në bindje se rajoni e ka vendin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tij, tashmë është e kuptueshme që zgjerimi nuk është prioritet aktual për Bashkimin Evropian, për shkak të problemeve sikurse: kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT-i. Të gjitha këto tema, siç ka thënë presidenti Thaçi, e kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor, gjë që mund të prodhojë efekte shumë negative.

“Vonesa e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s që ta afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë vetëm një vakuum. Ideologjitë tjera nga kontinente tjera me agjenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Ato mezi presin që ta mbushin vakuumin që do t’i lë vonesa e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Prandaj, është qenësore për rajonin tonë, por edhe për vet Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të mos vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ia ka dalë të përballet me disa prej sfidave më të mëdha, me të cilat bota përballet edhe sot. Sipas tij, Kosova ka qenë e suksesshme në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit.

“As ne nuk kemi qenë imun në raport me këtë kërcënim dhe qytetarët e Kosovës. Disa prej tyre kanë udhëtuar që t’i bashkëngjiten ISIS-it, individë. Por, mund të them se në 10 muajt e fundit, ky numër është kthyer në zero. Kemi punuar në disa rrafshe. Prandaj edhe kemi arritur suksese, për të cilat Kosovën e lavdërojnë të gjithë dhe për të cilat edhe zëvendëspresidenti Biden e ka quajtur Kosovën lider dhe shembull në rajon”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndryshe, tema e sesionit të dytë të Seminarti të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka qenë “ E ardhmja e NATO-s në Ballkanin perëndimor”.

Gjenerali Dietmar Bussmann​, drejtor i ekipit këshillëdhënës ndërlidhës të NATO-s, ka thënë se kjo organizatë mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Ai ka mirëpritur aspiratën e Kosovës për të siguruar sigurinë dhe garancinë për të gjithë banorët e saj, por edhe që të kontribuojë për sigurinë e përgjithshme të rajonit.

“Duke shikuar kah Ballkani Perëndimor, NATO ka pasur rol ndërlidhës, këshillëdhënës apo prani operacionale në Sarajevë, Beograd, Shkup dhe Prishtinë. Secili angazhim i NATO-s, veç e veç, përshtatet në ambientin për tu përmbushur nevojat e partnerëve tanë lokalë dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin brenda rajonit."

"Në mënyrë specifike, brenda Kosovës, NATO vazhdon të kontribuojë në një ambient të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes, përmes KFOR-it. Për më tepër, aleanca vazhdon të mbështesë zhvillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë, në radhë të parë përmes ekipeve këshillëdhënëse dhe ndërlidhëse”, ka thënë gjenerali Bussmann.

Ambasadori i Shteteve të bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, ka folur për rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se tri vende të këtij rajoni tashmë janë pjesë të saj. Megjithatë, ai ka theksuar se ka vende që nuk aspirojnë të jenë pjesë e NATO-s, por programi i partneritetit të NATO-s jep shembuj se si vendet jo aspiruese mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në kuadër të programit.

Sipas tij, NATO-ja i konsideron si partnere Bosnjë Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë. Por, duke iu referuar Kosovës dhe ambicieve të saj që të jetë pjesë e NATO-s, si dhe ambicieve që të formojë forcat e saj të armatosura, ambasadori Delawie ka theksuar se duhet shqyrtuar edhe mundësitë që mund të sjellë një situatë eventuale kur misioni i NATO-s në Kosovë nuk do të ishte më i nevojshëm, për shkak të përparimeve të mundshme në këtë vend. Në këtë pikë, sipas tij, do të duhej një planifikim shumë i kujdesshëm nga ana e NATO-s, sepse kjo e fundit nuk mund të largohet nga Kosova, nëse ajo nuk e ka aftësinë për vetëmbrojtje.

“NATO-ja nuk do të jetë e suksesshme nëse lë vakuum pas. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të mbështesim një transformim gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me një mandat të kufizuar të mbrojtjes së territorit të Kosovës. Ky transformim duhet të ndodhë në mënyrë kushtetuese, në mënyrë që të përfshijë të gjithë akterët e rëndësishëm në vend. Nuk do të jetë gjë e lehtë, as politikisht e as në aspektin logjistik, por duhet të pranojmë se ky transformim, definitivisht, do ta përmirësojë sigurinë rajonale dhe është parakusht për çfarëdo tërheqje eventuale të KFOR-it”, ka thënë ambasadori Delawie.

Ai ka shtuar se Shtete e Bashkuara të Amerikës besojnë që FSK duhet të transformohet gradualisht në forca të armatosura, në atë mënyrë që merr parasysh ndjeshmëritë e të gjitha komuniteteve të Kosovës. Sipas tij, SHBA po bashkëpunon me FSK-në në këtë projekt tash e një kohë të gjatë.

Seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, i cili ka nisur dje, ka vazhduar punimet gjatë ditës. Deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, përfaqësuesit e subjekteve parlamentare të Kosovës, si dhe të shoqërisë civile, po i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG