Ndërlidhjet

Vazhduan luftimet në Alepon e rrethuar

  • RFE /RL

Alepo

Alepo

Në qytetin e rrethuar Alepo në Siri sot kanë vazhduar luftimet, një ditë pas përfundimit të armëpushimit tri ditësh “humanitar”, që ishte shpallur nga qeveria e Sirisë dhe aleati i saj kryesor, Rusia.

Raportohet se luftime ka pasur në lagjet lindore të këtij qyteti, që janë nën kontroll të kryengritësve.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, ka njoftuar se sulmet nga aeroplanët sirianë apo rusë kanë filluar përsëri mbrëmë, pas tri ditëve të qetësisë.

Ky observator, po ashtu, tha se ka pasur edhe përleshje tokësore dhe të shtëna të rënda artilerike përgjatë linjave të frontit.

Qyteti Alepo është i ndarë ndërmjet pjesëve që janë nën kontroll të qeverisë dhe atyre që janë nën kontroll të forcave opozitare.

Konsiderohet se disa forca kryengritëse, po ashtu, i koordinojnë përpjekjet me grupet - që nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia - janë cilësuar si terroriste.

Sulmet ajrore të Rusisë dhe qeverisë së Sirisë, të fokusuara në pjesën lindore të Alepos, me popullatë të dendur, që është nën kontroll të kryengritësve, janë dënuar ashpër në përmasa ndërkombëtare.

Kjo ka çuar në dënim nga liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe thirrjet nga disa shtete anëtare të BE-së për sanksione të reja ndërkombëtare kundër qeverisë së Sirisë dhe mbështetësve të saj, Rusisë dhe Iranit.

Më 20 të këtij muaji, Rusia pati shpallur “pauzë humanitare”, ndërsa qeveria e Sirisë i patë hapur tetë korridore për evakuime, por vetëm një numër i vogël i njerëzve kanë kaluar nëpër to.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se më se 250 mijë civilë ende janë të bllokuar në lagjet e qytetit të rrethuar, që janë nën kontroll të kryengritësve.

Kombet e Bashkuara kishin shpresuar që ta shfrytëzojnë armëpushimin për evakuimin e njerëzve me plagë serioze dhe me gjasë për të dërguar ndihma.

Por, OKB-ja tha se nuk ishte në gjendje ta bënte këtë për shkak të mungesës së sigurisë dhe garantimeve për punonjësit humanitarë.

Nga ana tjetër, një hetim i ri i Kombeve të Bashkuara ka gjetur se forcat e qeverisë së Sirisë janë pëgjegjëse për sulmin e tretë me gaz helmues në Siri.

Raporti për këtë hetim i përgatitur nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik, më 21 tetor i është dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në raport theksohet se forcat e qeverisë së Sirisë ishin përgjegjëse për sulmet me helikopter, që kanë përdorë bomba-fuçi të mbushuara me gaz helmues, me gjasë klor, në qytetin Kmenas në provincën Idlib, më 16 mars të këtij viti.

Në muajin gusht, hetuesit e Kombeve të Bashkuara e kanë fajësuar qeverinë e Sirisë për dy sulme të mëhershme kimike në Siri, me përdorim të gazit të klorit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG