Ndërlidhjet

Koalicioni “stabil”, por zgjedhjet mbeten opsion


Një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës

Një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës

Çështja nëse ka nevojë për riformatim të Qeverisë së Kosovës dhe eventualisht për zgjedhje të reja, ka nxitur reagime tek partitë politike në Kosovë, të pushtetit dhe opozitës.

Ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo partnere në koalicionin qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati theksuar nevojën “për ndryshime”.

“Ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për riformatim, jo vetëm të numrave qeveritarë, të emrave qeveritarë, por edhe të funksionalitetit të politikave të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë, në fushën e tërheqjes së investitorëve të huaj, duke pasur parasysh se shumë investitorë potencial po kalojnë anash e nuk po ndalen në Kosovë", pati theksuar Veseli.

Por, pas takimit të ditës së hënë të kryesisë së Kuvendit të Kosovë, kryeparlamentari Veseli ka thënë se Qeveria e Kosovës është stabile, por se Kosovës i nevojitet një riformatim dhe ristrukturim i politikave të veta në agjendat që kanë të bëjnë veçanërisht me ekonomi dhe me integrimet drejt Bashkimit Evropian.

“Koalicioni është stabil. Koalicioni mund të qëndrojë shumë mirë dhe në mënyrë korrekte deri në vitin 2018, në këtë mënyrë. Kemi komunikim jashtëzakonisht parimor me partnerin e koalicionit. Ajo e gjitha për të cilën jemi duke u munduar është që ta shtensionojmë situatën, në mënyrë që të lëvizim përpara.”

“Jo me çdo kusht të qëndrojmë deri në 2018, vetëm të qëndrojmë në pushtet, për t’i treguar njëri tjetrit që ne mund të qëndrojmë në pushtet. Këtu ka qenë edhe theksi i deklaratës sime, thelbi i deklaratës sime. Nuk bëhet kiameti edhe të shkojmë në zgjedhje, por me marrëveshje politike, me konsensus të përbashkët”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se zgjedhje të reja, nëse do të ndodhnin eventualisht,do të mund të bëheshin në rast se ekziston pajtimi i partive politike.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë po ashtu se qeveria është stabile dhe se po bën punë të mirë. Lidhur me zgjedhjet eventuale, sipas tij, LDK nuk ka informata.

“Së pari, nuk kam dëshirë t’i interpretoj deklaratat. E dyta, ishte dashur me qenë të informuar, po të ishte ashtu, siç po interpretohet, jo vetëm unë, por LDK-ja, sepse ne kemi një koalicion qeverisës. Kjo qeveri nuk është e një partie politike, por është e një koalicioni.”

“Sa u përket zgjedhjeve, te partitë politike serioze, gjithmonë, një ditë duhet të ulen për të biseduar edhe për proces zgjedhor, qoftë pak para se të vijë koha ose edhe pak më herët. Por, në këtë rast, nuk do të paragjykoja dhe unë mendoj që shpeshherë deklaratat tona nxirren nga konteksti”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky opozitar në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se vendi është dashur të shkojë në zgjedhje shumë më herët se sa tash.

“Mendoj që ne e kemi marrë seriozisht këtë keqqeverisje të vendit, që shumë më herët është dashur të shkojë vendi në zgjedhje, sepse kemi shumë gjëra që kontestohen dhe janë të kontestueshme”, ka thënë Lekaj.

Haxhi Shala, deputeti i Nismës për Kosovën, subjekt ky opozitar, ka theksuar se zgjedhjet do të ishin zgjidhje në situatën e tanishme.

“Nuk e kam marrë fort serioze atë deklaratë të zotit Veseli, sepse nuk mund të thotë ai se ‘unë nuk jam fajtor për keqqeverisjen’ kur dihet se edhe PDK-ja është në qeverisje në këtë vend. Por, sidoqoftë, në qoftë se e ka me të vërtetë dhe e ka pasur një deklaratë serioze, unë mendoj se jemi për zgjedhje. Pse të mos jemi? Vetëm zgjedhjet mund t’i japin drejtim këtij vendi në këto pika që janë të kontestuara nga opozita”, ka thënë Shala.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli, ka theksuar se edhe në rast të zgjedhjeve eventuale, obligimet ndërkombëtare, por edhe ato që dalin edhe nga Dokumenti i Ahtisaarit - për të cilat ka kundërshtime ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë - do mbeten obligime për këdo që vjen në pushtet. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG