Ndërlidhjet

Kerry ka shprehur shqetësim te Lavrovi për sulmet në Alepo


John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov

John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i ka thënë mbrëmë ministrit të jashtëm rus, Seregi Lavrov, se është i shqetësuar për ripërtritjen e luftimeve në qytetin Alepo në Siri, pas ndaljes prej disa ditësh, ka njoftuar Departamenti amerikan i shtetit.

Gjatë bisedës telefonike, Lavrov dhe Kerry kanë diskutuar për situatën në Siri dhe janë pajtuar që ekspertët nga disa vende që po takohen në Gjenevë, të vazhdojnë të kërkojnë mënyra për zgjidhjen e krizës në Alepo.

Nga ana tjetër, Ministria e jashtme e Rusisë, ka kumtuar se Lavrov i ka thënë zotit Kerry se Shtetet e Bashkuara duhet ta plotësojnë obligimin e tyre për ndarjen e grupeve opozitare të moderuara nga “terroristët” në Siri.

Afërsia gjeografike ndërmjet kryengritësve të moderuar sirianë dhe grupeve të cilësuara si terroriste, siç është Shteti Islamik, ishte njëri nga faktorët e dështimit në muajin e kaluar të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Gjatë bisedës telefonike, John Kerry ka shprehur shqetësim për ripërtritjen e sulmeve në Alepo nga forcat e qeverisë së Sirisë dhe aeroplanët luftarakë rusë, pas një pauze në luftime gjatë javës së kaluar, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby.

Mëtutje, ai ka theksuar se ndihma humanitare ende nuk ka arritur te banorët e rrethuar në Alepo, pasi Rusia dhe Siria kanë dështuar të japin garantime për siguri për Kombet e Bashkuara gjatë pauzës.

XS
SM
MD
LG