Ndërlidhjet

logo-print

OKB merr njoftime për krime të IS-it brenda Mosulit

  • RFE /RL

Harta e fshatrave të Mosulit

Harta e fshatrave të Mosulit

Kombet e Bashkuara kanë marrë njoftime për krimet e kryera nga militantët e Shtetit Islamik, derisa forcat qeveritare Irakiane po i afrohen qytetit të Mosulit.

Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut thotë se abuzimet përfshijnë edhe vrasjen e fëmijëve, njofton BBC. Në fshatin Safina, 15 civilë dyshohet se janë vrarë të mërkurën dhe trupat e tyre janë hedhur në lum, në një përpjekje të hapur për të shkaktuar terror.

Më vonë gjashtë civilë njoftohet se janë lidhur në një makinë dhe janë tërhequr zvarrë, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut thotë gjithashtu se po vazhdon të marrë informata që përforcojnë besimin se IS qëllimisht po përdor civilët si “mburoja njerëzore’.

Rreth 30 mijë forca irakiane të sigurisë, luftëtarë kurdë Peshmerga, arabë sunni dhe milicë shiitë, të ndihmuar nga aeroplanët luftarakë dhe këshilltarë ushtarakë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, nisën që prej tetë ditësh një ofenzivë të pritur gjatë për të rimarrë Mosulin,

Operacioni pritet që të vazhdojë për disa javë, nëse jo muaj, varësisht nga shkalla e rezistencës së 3 mijë deri 5 mijë militantë, që besohet se ndodhen brenda Mosulit.

Vlerësohet se edhe 1.5 milionë civilë jetojnë në qytet, me rreth 200 mijë të tjerë që besohet se janë zhvendosur javët e kaluara, njofton OKB. (REL)

XS
SM
MD
LG