Ndërlidhjet

Sonda ruso-ervopiane ka lënë krater nga përplasja në Mars


Ilustrim

Ilustrim

Fotografitë e agjencisë amerikane të gjithësisë, NASA, indikojnë se sonda fatkeqe evropiane në Mars, e ka krijuar një krater të vogël në sipërfaqen e Planetit të Kuq, duke sugjeruar se ajo e ka goditur terrenin me shpejtësi të madhe.

Sonda Schiaparelli, projekt i përbashkët ExoMars i Rusisë dhe Bashkimit Evropian, për kërkim të jetës në Mars, është përplasur javën e kaluar gjatë aterimit në sipërfaqe.

Kjo ishte përpjekja e dytë evropiane për të ateruar në mars. Misioni i parë i dështuar ishte bërë në vitin 2003, i njohur me emrin Beagle 2.

Shkencëtarët besojnë se sonda Schiaparelli, e ka goditur sipërfaqen me shpejtësi më tepër se 300 kilometra në orë, në vend se ta prekte atë në mënyrë të butë, siç ishte planifikuar, për shkak të një gabimi në softuerin e paraprogramuar të aterimit.

Fotografitë me rezolucion të lartë të bëra nga sonda amerikane, Mars Reconnaisance Orbiter, tregojnë një krater të cekët dhe të errët në vendin e përplasjes, e po ashtu, shenja të një errësire asimetrike rreth vendit, për të cilat shkencëtarët thanë se është vështirë të interpretohen.

XS
SM
MD
LG