Ndërlidhjet

Rusia ankohet pasi dështoi të zgjedhet në KDN të OKB-së


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarët rusë janë ankuar pasi vendi i tyre nuk është votuar për të qenë anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut (KDN), e Kombeve të Bashkuara dhe kanë shprehur përkushtim për ta siguruar përsëri ulësen e Moskës në këtë këshill vitin e ardhshëm.

“Na duhet një pushim”, theksoi të premten mbrëma pas votimit ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, dhe tha se Rusia ka pësuar disfatë nga fqinjët e saj në Evropën Lindore, Hungaria dhe Kroacia.

“Kroacia dhe Hungaria, fatmirësisht për shkak të madhësisë së tyre, ato nuk u janë ekspozuar erërave të diplomacisë ndërkombëtare”, tha Churkin, dhe shtoi se “Rusia është shumë e ekspozuar”.

Diplomati i lartë rus e ka marrë si ngushëllim çështjen se votimi ishte i ngushtë, pasi Kroacia dhe Hungaria i morën nga 114, ndërsa Rusia 112 vota.

Këto tri shtete garonin për dy vende rajonale në këtë këshill, që i monitoron dhe heton shkeljet për të drejtat e njeriut në gjithë botën.

“Ishte votim shumë i ngushtë, ne kemi qenë atje për shumë vite dhe jam i sigurt se herën e ardhshme do të jemi brenda”, tha Churkin.

Disa ligjvënës rusë, të intervistuar nga mediat ruse për dëbimin e papritur nga ky këshill, i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Uashingtonit në Evropë, duke thënë se ata punuan prapa skenës për t’i shkaktuar goditje diplomatike Rusisë, në kuadër të fushatës për ta dënuar Moskën për aksionet e veta në Siri dhe Ukrainë.

Derisa zyrtarët e Shteteve të Bashkuara nuk e kanë marrë përgjegjësinë për këtë zhvillim, ata privatisht u kanë thënë reporterëve se ishin të kënaqur me mesazhin që i është dërguar Moskës.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i ka falënderuar shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në mesin e 14 vendeve të zgjedhura në këshill. Ai tha se “Këshilli për të Drejtat e Njeriut është aq i fortë aq sa janë anëtarët e vet”.

Anëtarët e këtij këshilli, pas votimit, i ka shpallur Peter Thompson, diplomat nga Fixhi, i cili aktualisht është kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“14 shtete janë zgjedhur për Këshillin e të Drejtave të Njeriut për mandat trevjeçar, që fillon më 1 janar të vitit 2017: Brazili, Kina, Kroacia, Kuba, Egjipti, Hungaria, Iraku, Japonia, Ruanda, Arabia Saudite, Afrika Jugore, Tunizia, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, dhe Shtetet e Bashkuara. U uroj këtyre shteteve”, tha Thompson.

Më se 80 grupe për të drejtat e njeriut nuk e kanë fshehur se ato ishin kundër Rusisë dhe kanë shprehur kënaqësi me votimin.

“Vendet anëtare të Kombeve të bashkuara i kanë dërguar mesazh të fuqishëm Rusisë për mbështetjen e saj për regjimin i cili ka kryer shumë mizori në Siri”, tha Louis Charbonneau nga organizata Human Rights Watch.

Megjithëqë nga grupet për të drejtat e njeriut ishte marrë në shënjestër si Rusia për t'u dëbuar nga ky këshill, Arabia Saudite ia doli të zgjidhet. Po ashtu, janë zgjedhur edhe Kina, Kuba dhe Egjipti, që shpeshherë janë cituar për të arritura të dyshuara në fushën e të drejtave të njeriut.

“Moszgjidhja e Rusisë tregon se vendet e botës mund t’i refuzojnë abuzuesit e mëdhenj nëse ato zgjedhin”, tha Hillel Neuer nga Human Rigts Watch, dhe ka shtuar se “kjo e bën zgjedhjen e Arabisë Saudite, Kinës dhe Kubës, edhe më absurde”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG