Ndërlidhjet

Hulumtimet e fondacionit "Fridrih Ebert" në Shkup kanë nxjerrë në pah se 53% e të rinjve në Maqedoni dëshirojnë të largohen nga vendi.

Një jetë e mirë, cilësi më e mirë e procesit arsimor, paga më të larta, gjetja e një pune e cila nuk do të varet nga shtytja e politikës, janë arsyet se pse të rinjtë dëshirojnë të largohen nga Maqedonia.

Me liberalizimin e vizave, një pjesë e të rinjve shfrytëzojnë qëndrimin tremujor në vendet e Bashkimit Evropian, përderisa disa të tjerë shfrytëzojnë të drejtën e vizave studentore që u mundëson një qëndrim më afatgjatë, por ka dhe nga ta që vendosin të punojnë në anije.

Por, të dhënat zyrtare në lidhje me numrin e qytetarëve nga Maqedonia, të cilët janë larguar me punë të përkohshme jashtë vendit, mungojnë. Kurse, përfaqësuesit e agjencive që ndërmjetësojnë në gjetjen e një pune në vendet e ndryshme të botës, thonë se është në rritje numri i të rinjve që shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për t’u larguar nga vendi dhe më pas në formë ilegale ose gjysmëilegale, të punësohen në ndonjë vend të Evropës.

“Liberalizimi i vizave ka bërë që të largohet një grup i madh i të rinjve, të cilët e them me shumë përgjegjësi, në mënyrë gjysmëilegale janë duke punuar në vendet ku mund të hyhet pa vizë ose me vizë turistike”, thotë Zoran Koçovski, i cili drejton një nga agjencitë e shumta në Maqedoni që ndërmjetësojnë për gjetjen e një pune jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Arben Hajrullahu drejtues i Organizatës studentore të shqiptarëve të Maqedonisë, thotë se të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndonjë strukture politike, e dinë se apriori me këtë janë të përjashtuar dhe nga mundësia që të zhvillojnë karrierën e tyre në institucionet shtetërore.

Madje, sipas Hajrullahut, ata kanë mundësi të limituara nësepërcaktohen për të zhvilluar një biznes privat, në këto rrethana dhe si alternativë e vetme u mbetet mërgimi.

Hajrullahu thotë se mbi 80% të kolegëve të tij, pavarësisht se studiojnë në ndonjë nga fakultet e vendit ose ndjekin studimet e nivelit master, janë të interesuar të largohen nga Maqedonia pas liberalizimit të vizave.

“Nga përvoja ime, nga kontaktet e shumta që kam me kolegët studentë, vijmë në përfundim se i riu shqiptar është shumë më i lënë padore se bashkëmoshatarët e tij të etnitetit maqedonas. Dhe, kjo bën që të rinjtë shqiptarët përdorin të gjitha mundësitë për t`u larguar nga vendi”.

“Për shkak të mundësive të pakta që u ofrohen të rinjve shqiptarë në Maqedoni për t’u punësuar, ata shfrytëzojnë liberalizmin e vizave të paktën për tre muaj, aq sa lejon viza, të shkojnë në ndonjë vend të Evropës ku mund të gjejnë punë”, thotë Hajrullahu.

Përderisa Dona Kosturanova nga Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni thotë se mungesa e një perspektive të qartë, bën që të rinjtë të vendosin për t’u larguar nga Maqedonia, pavarësisht se janë të vetëdijshëm se do ta kenë shumë të vështirë ambientimin në ndonjë nga vendet e Evropës.

“E dimë se më shumë se gjysma e të rinjve të Maqedonisë, është e papunë. Madje, për të gjetur një punë, duhet të presin së paku katër vjet dhe punësimi i tyre i parë u siguron një rrogë shumë të ulët, me kushte jokorrekte për punë. Një nga arsyet që i dëbon të rinjtë nga Maqedonia, është pavarësia financiare, si dhe synimi për shkollim më cilësor”, thekson Kosturanova.

Enti Shtetëror i Statistikave nuk ka të dhëna të sakta sa është numri atyre që janë larguar nga vendi, ngase regjistrimi i fundit në Maqedoni është realizuar në vitin 2002.

Por, organizata ndërkombëtare për migrim bën të ditur se gjatë vitit 2015, mbi 500 mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë jashtë vendit.

Por, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, për çdo vit shënohet ulje drastike sa i përket regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore.

Vetëm në gjashtë vitet e fundit, krahasuar me vitin 2011, këtë vit në bankat e shkollave fillore janë ulur rreth 13 mijë nxënës më pak. Gjithnjë sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i nxënësve në ciklin e ulët krahasuar me një vit më parë është ulur për 1,1%, kurse numri i nxënësve në shkollat e mesme është ulur për 3.6% brenda një viti, pavarësisht se shkollimi i mesëm është i obligueshëm.

Hulumtimet nga Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni kanë nxjerr në pah se numri më i madh i çifteve të reja, kryesisht me arsimim të lartë, largohen nga Maqedonia ngase nuk mund të sigurojnë një jetë dinjitoze për fëmijët e tyre ashtu siç ua kanë siguruar atyre prindërit, duke jetuar si familje të pavarura nga gjeneratat më të vjetra.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG