Ndërlidhjet

Itali: Nga tërmeti i fuqishëm dhjetëra të plagosur dhe dëme materiale


Pamje nga dëmet e shkaktuara në ndërtesa nga tërmeti i cili e ka goditur pjesën qendrore të Italisë

Pamje nga dëmet e shkaktuara në ndërtesa nga tërmeti i cili e ka goditur pjesën qendrore të Italisë

Një tërmet i fuqishëm me intensitet 6.6 shkallë e ka goditur pjesën qendrore të Italisë, duke i shkatërruar shumë ndërtesa.

Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për njerëz të vrarë, por Agjencia e mbrojtjes civile e Italisë tha se disa njerëz janë plagosur.

“Dhjetëra njerëz janë lënduar lehtë, me përjashtim të një personi, i cili është në gjendje më serioze”, u tha gazetarëve, Fabrizio Curcio, shef i agjencisë.

Sipas tij, kjo agjenci po i përdorë helikopterët për të arritur te të plagosurit dhe për t’i vlerësuar dëmet.

Tërmeti ndodhi sot në mëngjes orën 7:40 sipas kohës lokale dhe epiqendrën e kishte afër qytetit Perugja, ka njoftuar Vëzhgimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara.

Në mesin e ndërtesave të dëmtuara raportohet se janë edhe Bazilika e Shën Benediktit dhe ndërtesa e administratës së qytetit në vendbanimin Norkia.

Dridhje janë hetuar edhe në kryeqytetin Romë.

Ky tërmet i fuqishëm ndodhi dy muaj pas dridhjeve të forta në rajon, nga të cilat patën humbur jetën afro 300 vetë.

XS
SM
MD
LG