Ndërlidhjet

Presidenti çek injoron të mbijetuarin e Holokaustit, shkakton zemërim


Presidenti i Çekisë, Milos Zeman

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman

Dhjetëra institucione të Çekisë dhe grupe civile kanë nxituar ta nderojnë personin 88 vjeçar, George (Jirzhi) Brady, i mbijetuar i Holokaustit, pasi presidenti i tyre, Milos Zeman, e tërhoqi ofertën për nderim shtetëror, që qartazi ishte koncesion ndaj Kinës.

Zoti Brady, hebre nga Kanadaja, me origjinë çeke, i cili është i mbijetuar i kampit nazist të vdekjes në Aushvic, u tha mediave çeke se ai ka marrë shumë ftesa pas tërheqjes së minutës së fundit të presidentit çek, para ceremonisë së dhënieve të nderimeve shtetërore, më 28 tetor, saqë nuk është i sigurt se do të mund të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet.

Ai, po ashtu, tha se tashmë nuk dëshiron ta marrë çmimin shtetëror për shërbim publik, për të cilin Zyra e presidentit Zeman paraparakisht e kishte ftuar në Pragë, që personalisht nga presidenti ta pranojë mirënjohjen.

“Nuk jam i interesuar. Kam plane të tjera”, i tha zoti Brady programit të radios çeke, Radiozhurnal, më 24 tetor.

Por, ai ka theksuar se ishte jashtëzakonisht krenar me çmimet që ia dhanë organizatat e tjera, duke treguar vetëdijen e çekëve për mizoritë e Holokaustit.

Ky person, i cili jeton në Toronto të Kanadasë, ka marrë mirënjohje për përpjekjet e tij për mbështetjen e fushatave globale për përkujtimin e Holokaustit. Në të kaluarën, Brady për punën e tij, pos të tjerëve, ishte nderuar nga mbretëresha britanike, Elizabeta, dhe nga qeveria gjermane.

Lidhja tibetiane

Kthesa e Zemanit ndaj zotit Brady, para festës kombëtare të Çekisë, më 28 tetor, i ka zemëruar shumë shtetas të këtij vendi, pasi duket se kishte lidhje me armiqësinë e presidencës me nipin e zotit Brady, Daniel Herman, i cili është ministër i Kulturës i Çekisë.

Herman ishte takuar me liderin shpirtëror tibetian, Dalai Lama, në Pragë, në mesin e muajit tetor, kundër dëshirës së presidentit Zeman, që kishte synuar shtimin e tregtisë me Kinën, e cila Dalai Lamën e konsideron separatist të dhunshëm.

Ministri Herman i tha Televizionit të Çekisë se “presidenti në mënyrë direkte më tha se nëse unë takohem me Dalai Lamën, atëherë daja im do të hiqet nga lista (e çmimeve) dhe kjo ndodhi”.

Personalitete udhëheqëse në Republikën e Çekisë, që kanë lëvizur ta njohin veprën e zotit Brady, pas tërheqjes së befasishme të Zemanit, përfshinë kryetaren e qytetit të Pragës, kryetarin e qytetit të dytë çek, Bërno, dhe rektorin e e Universitetit Palacky në Ollomouc.

“Jam e turpëruar me atë që po ndodhë lidhur me çmimin për zotin Brady”, ka shkruar në faqen e saj personale në internet, kryetarja e Pragës, Adriana Kërnacova, duke shtuar se kjo është arsyeja përse ajo e ka shfrytëzuar autoritetin e saj për ta nderuar Brady-n zyrtarisht me Çelësin e Pragës, si shprehje e mirënjohjes.

Rektori i Universitetit Palacky në Ollomouc, Jaroslav Miller, ka shprehur ndjenja të njejta.

“Nëse presidenti me të vërtetë e ka tërhequr atë nga lista e të nderuarve për shkaqe të pakuptueshme, Universiteti Palacky në Ollomouc do të jetë i nderuar që zoti Jirzhi (George) Brady ta pranojë çmimin tonë akademik”, ka shkruar Miller në rrjetin Facebook, dhe ka shtuar se “së paku ne do ta shpëtojmë nderin e Republikës Çeke dhe do ta nderojmë njeriun që bëri diçka për vendin e tij”.

Ndryshim i rrugës së Havelit

Ministri i financave i Çekisë, Andrej Babis, i ka hedhur poshtë pretendimet për çfarëdo lidhjeje ndërmjet këtyre zhvillimeve.

Por, ai ka konfirmuar se presidenti i ka thënë ministrit Herman që të mos takohej me Dalai Lamën.

Gjatë presidencës së tij, Zeman synon fuqishëm lidhje më të afërta ekonomike me Kinën, megjithë kundërshtimet nga grupet për të drejta të njeriut në Çeki, për shkak të politikave represive të Kinës në Tibet, i cili është aneksuar në vitin 1951.

Pekini i dekurajon shtetet e jashtme që të mos e pranojnë Dalai Lamën, i cili është lider shpirtëror dhe e udhëheq qeverinë e Tibetit në ekzil, në Indi.

Qasja e Zemanit dhe e paraardhësit të tij, Vaclav Klaus, në raport me Dalai Lamën, që është fitues i Çmimit Nobel për Paqe, është diametralisht e ndryshme nga ajo e presidentit të ndjerë, Vaclav Havel, disident çekosllovak dhe shkrimtar, që ishte ndërkombëtarisht i nderuar për promovimin e të drejtave të njeriut dhe mik i liderit shpirtëror tibetian, Dalaj Lama.

Familja hebreje që u ndëshkua nga nazistët

Familja e George (Jirzhi) Brady-t ishte e vetmja familje hebreje në qytetin e vogël, Nove Mesto, në ish-Çekosllovaki, e cila kishte jetë të qetë të klasës së mesme, derisa Gjermania Naziste e okupoi vendin në vitin 1939.

Prindërit e Brady-t u dëbuan menjëherë në fillim të luftës dhe raportohet se kanë vdekur në Aushvic.

George, 13 vjeçar, dhe motra e tij më e re Hana, së pari ishin dërguar për të jetuar me një familje të farefisit katolik në Çekosllovaki, por në vitin 1944 ishin dërguar në Aushvic.

George ishte dërguar në Aushvic, por mbijetoi. Motra e tij, Hana, u vra në dhomën e gazit, në moshën 13 vjeçare.

George pastaj u kthye në shtëpinë e dajës së tij, e përfundoi shkollën dhe në vitin 1951 iku nga Çekosllovakia komuniste.

Pasi e mori shtetësinë e Kanadasë, ai e themeloi një kompani të instalimeve hidrosanitare në qytetin Toronto.

Përvoja e familjes Brady është temë e librit “Valixhja e Hanës”, të botuar në vitin 2002, të autores Karen Levine.

Ky libër është përkthyer nga anglishtja në afro 20 gjuhë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG