Ndërlidhjet

Gratë preferojnë gjithnjë e më shumë lindjet me operacion


Ilustrim - Klinika e Gjinekologjisë e QKUK-së

Ilustrim - Klinika e Gjinekologjisë e QKUK-së

Prerjet cezariane (operacionet gjatë lindjes) kanë shënuar rritje viteve të fundit në Kosovë. Gratë shtatzëna mund të zgjedhin mënyrën se si ato dëshirojnë t’i lindin foshnjat e tyre dhe kjo ka bërë që lindjet me prerje cezariane të shënojnë një trend rritjeje, ku në spitalet private përqindja e këtyre lindjeve ka arritur shifrat nga 80 deri në 100 për qind.

Krahasuar me vitin 2000, kur lindjet me prerje cezariane kanë qenë 7.5 për qind, në vitin 2015 ky trend është rritur në mbi 30 për qind në total.

Myrvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka treguar për Radion Evropa e Lirë disa nga arsyet e rritjes së numrit lindjeve me prerje cezariane. Sipas saj, si trend, kjo formë çdo vit ka shënuar ngritje.

“Vërehet rritje e numrit të prerjeve cezariane ndër vite dhe mendoj se është pak brengosëse, pasi lindja është një proces natyral dhe ishte dashur të ndodhte ashtu. Por, mos të harrojmë që kohët e fundit bëhen shumë IVF apo mbarësime artificiale dhe ajo është një prej shkaqeve që ndikon që lindjet të kryhen me prerje cezariane”.

“Por, mendoj se ka edhe një shkak tjetër, që është mosha më e shtyrë e femrave që lindin, pasi duan të kryejnë shkollimin, pastaj karriera dhe më pas dëshirojnë të shkojnë më sigurt me lindje cezariane. Mendoj se gjithsesi mjekët duhet jenë ata që të përcaktojnë mënyrën e lindjes, e jo pacientët”, ka thënë Paçarada.

Profesionistët shëndetësorë thonë se Kosova nuk ka ligj që i mbron të drejtat e mjekëve, derisa ekziston ligji që mbron të drejtat e pacientëve. Sipas tyre, nëse pacientja thotë se dëshiron të lind me prerje cezariane, nuk ka ligj që e mbron të drejtën e mjekut, që është profesionist i asaj fushe, që ta obligojë në këtë rast nënën ta lindë foshnjën në mënyrë spontane, nëse ajo është e nevojshme.

Këtë e dëshmon fakti se në spitale private, lindja me prerje cezariane ka arritur përqindjen e 80 deri në 100 për qind.

Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thonë se është e rëndësishme që profesionistët shëndetësorë t’i përmbahen profesionalizmit, parimeve mjekësore dhe rekomandimeve të OBSH-së, që dalin duke u mbështetur në hulumtimet shkencore të bazuara, e assesi të mos bien nën ndikimin e presionit të familjes dhe nënave, të cilat nuk janë në dijeni të mjaftueshme për rrezikun dhe komplikimet që sjellin prerjet cezariane.

Zonja Paçarada thotë se përkundër insistimeve të mjekëve në Qendrën Klinike për lindje normale, gratë ikin në spitale private për të lindur me prerje.

“Ne hasim në një dukuri, kur gruaja është e gatshme të lind me rrugë natyrale dhe ne insistojmë që lindja të kryhet ashtu, por pacienten të nesërmen nuk e shohim. Shkon dhe kryen lindjen në spital privat."

"Tek ne përqindja e lindjeve me prerje është 30 për qind, derisa në spitale private kjo përqindje shkon prej 80 deri në 100 për qind”, thotë Paqarada.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkaq, thonë se sektori privat kërkon një analizë, pasi shkalla e lindjeve me prerje është shumë e lartë dhe duhet të shihet se nëse kjo bëhet për shkak të interesit komercial, me kërkesë të vetë pacientëve, apo ka ndonjë shkas tjetër.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tregon edhe hollësi tjera.

“Nëse i referohemi raportit perninatal, shohim se prej vitit në vit, lindjet me prerje cezariane kanë shënuar rritje dhe totali ka qenë 27 për qind. Sa i përket institucioneve ku kryhen lindjet, në spitale private kjo dukuri është shumë më e shprehur”.

“Ky duhet të jetë një sinjal që profesionistët e fushës së gjinekologjisë të bëjnë një analizë të plotë të kësaj dukurie dhe të zhvillojnë politika të atilla që shkallën e lindjeve me prerje ta ulin apo ta mbajnë këtë nivel”, ka thënë Hoti.

Përkundër insistimeve që të kontaktojmë edhe përgjegjës nga disa spitale private në Kosovë, nuk është shprehur interesimi që të flasin për këtë çështje me mediat.

Sidoqoftë, lidhur me atë se sa ndikon mënyra e lindjes në shëndetin e nënës dhe fëmijës, neonatologia Mynavere Hoxha pati shpjeguar se, në bazë të studimeve, nuk është parë nëse lindja me prerje cezariane ka ulur vdekshmërinë e foshnjave apo të nënave, krahasuar me lindjet spontane. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG