Ndërlidhjet

Pas njoftimit të FBI-së për Clintonin, aksionet dhe dollari rriten


Ilustrim

Ilustrim

Tregjet globale të aksioneve dhe dollari amerikan kanë shënuar rritje gjatë ditës së djeshme, pasi agjencia FBI tha se hetimet e fundit ndaj kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton, lidhur me emailet e saja, derisa ishte sekretare e shtetit, nuk kanë rezultuar me akuzë penale.

Aksionet në Wall Street, që kishin rënë gjatë periudhës më të gjatë në 36 vitet e fundit, javën e kaluar, pasi FBI shpalli se kishte filluar hetime të reja, janë kthyer në mënyrë të fuqishme, me përfitimet më të mëdha në tetë muaj.

Indekset kryesore të aksioneve në Shtetet e Bashkuara janë rritur për 2%, ndërsa më herët gjatë ditës, ato në Frankfurt dhe Paris, ishin rritur për 1.9%, ndërsa në Londër ishte shënuar shtim për 1.7%.

Nga ana tjetër, dollari amerikan është rritur për 0.7% në krahasim me një grup të monedhave, pasi kishte shënuar rënie 1.3% gjatë javës së kaluar.

Derisa reagimi i tregjeve ndaj zgjdhjeve të sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara e ka favorizuar zonjën Clinton, e cila udhëheq ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump, në pjesën më të madhe të hulumtimeve të opinionit, analistët thonë se aktualisht është e qartë se tregjet preferojnë vazhdim të agjendës së presidentit Obama, në krahasim me “paqartësinë”, e cila mund të ndodhë nga presidenca e paparashikueshme e republikanit, Donald Trump.

XS
SM
MD
LG