Ndërlidhjet

Analistët: Koalicioni drejt zhbërjes, zgjedhjet kthehen si opsion 


Foto nga arkiva - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa (LDK) duke biseduar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Hajredin Kuçi (PDK)

Foto nga arkiva - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa (LDK) duke biseduar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Hajredin Kuçi (PDK)

Lëkundja e koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, thonë njohësit e rrethanave politike.

Sipas tyre, gjendja brenda koalicionit është shumë më e rëndë sesa që paraqitet para opinionit dhe medieve.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se në bazë të deklaratave - kryesisht atyre të kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së - gjendja mund të konsiderohet si normale. Por, siç thotë ai, gjendje brenda koalicionit është krejt ndryshe.

"Unë besoj se situata është krejt ndryshe dhe mënyra se si po qeveriset, respektivisht qeverisja tash për tash në Kosovë i ngjan një vullkani i cili është duke u zier nën sipërfaqe, por në një moment të caktuar do të shpërthejë. E unë besoj se ky shpërthim do të ndodh shpejt", tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Tutje, Mushkolaj vlerëson po ashtu se disa deklarata të përfaqësuesve të partive të koalicionit i shpërfaqin qartë pakënaqësitë e shumta që ka në raportet mes PDK-së dhe LDK-së.

"Në javët e fundit ka pasur shumë përplasje mes zyrtareve të dy partive. E kur flasim për këto përplasje, atëherë nuk behet fjalë vetëm për mendime individuale, ngase ato, mendoj unë, janë qëndrime të partive", tha Mushkolaj.

Kurse, analisti tjetër, Petrit Zogaj, tha për Radion Evropa e Lirë se koalicioni qeverisës po punon me kapacitete jo të plota dhe kjo, pos tjerash, vë në dyshim vazhdimin e punës së tij. Para së gjithash, Zogaj përmend Listën Serbe, që është pjese e koalicionit qeverisës, por e cila ka ngrirë aktivitetin e saj, si në qeveri ashtu edhe në Kuvend.

"Kemi ligje që kontestohen nga Lista Serbe, sa i takon Trepçës dhe Ligjit për investime strategjike. Kjo i bie që një pjese e koalicionit brenda Qeverisë Mustafa veç është distancuar nga Qeveria”.

“Pjesa tjetër është debati që ka prodhuar PDK-ja, lidhur me buxhetin, që është gjeja më e rëndësishme për një qeveri. PDK po e konteston Ligjin për buxhetin. Pra, janë 3 ligje që janë kontestuar nga dy parti partnere të koalicionit", tha Zogaj.

Zogaj tha se PDK-ja si partnere e koalicionit është duke luajtur dy lojëra me partnerin e koalicionit. Një që konteston ligjet e propozuara dhe në anën tjetër propozon emra të ministrave për të plotësuar dhe riformatuar qeverinë.

Zogaj konsideron se në raport me rezultatet, qeverisja aktuale nuk ka çka të thotë për ndonjë rezultat as tash e as pas dy viteve, kur i përfundon mandati.

"Si përfundim i gjithë kësaj, nuk do të doja që Qeveria Mustafa ta pret vitin 2018 për të përfunduar mandatin. Ndoshta do të ketë një shkurtim shumë më të hershëm sesa përfundimi i mandati të Qeverisë Mustafa. Edhe ashtu rezultatet të cilat kjo qeveri ka dashtë me i pas gjatë këtyre dy viteve, por edhe dy viteve të ardhshme, nuk është që janë rezultate që po priten", tha Zogaj.

Sipas Petrit Zogajt, Qeveria Mustafa ka dështuar deri më tash në shumë çështje të rëndësishme, siç është ajo e liberalizimit të vizave dhe reformat e ekonomike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike Kosovës, kanë shpeshtuar kritikat ndaj njëra-tjetrës lidhur me punën që bëjnë zyrtarët e partive përkatëse në institucione, si në atë të nivelit qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshjen e koalicionit në nëntor të vitit 2014. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG