Ndërlidhjet

SHBA-ja zgjedh presidentin e ri


Amerikanët po votojnë për të zgjedhur presidentin e ri, pas një fushate më kundërthënëse në historinë e SHBA-së.

Pas fushatës agresive ndërmjet kandidates së Partisë Demokratike, Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump, të dy ata kanë votuar në zgjedhjet që janë përqëndruar më shumë në karaktere se sa në çështje.

“Jam shumë e lumtur. Jam jashtëzakonisht e gëzuar”, tha Clinton pas votimit, së bashku me bashkëshortin e saj Bill Clinton, në një qendër votimi në afërsi të shtëpisë së saj në qytetin e vogël Chappaqua, jo shumë larg Neë Yorkut.

Ajo tha se “ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme” për të votuar “sepse aq shumë njerëz presin nga rezultati i zgjedhjeve”.

Trump ndërkohë, votoi në një qendër votimi në rajonin e Manhattan ku banon, së bashku me bashkëshorten e tij Melania.

Në një intervistë telefonike për Fox TV gjatë ditës, Trump tha se fushata presidenciale ishte “një process i jashtëzakonshëm”. Ai e quajti fushatën e tij "lëvizje” dhe shtoi se populli amerikan është “i jashtëzakonshëm”.

Vendvotimet u hapën në shumë pjesë në bregun lindor në ora 6 të mëngjesit (në mesditë sipas orës së Evropës) megjithëse në disa fshatra të SHBA-së të shtetit New Hampshire votimet u mbyllën.

Kandidatja e Partisë Demokratike, Hillary Clinton dhe kandidati i Partisë Republikane Donald Trump, kanë bërë fushatë deri në minutat e fundit më 7 nëntor, në disa prej shteteve fushëbetejë, ku pritet që vota të kalojë në favor të njërit nga kandidatët. Sondazhet kanë treguar se gara po ngushtohet në ato shtete përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Shtetet amerikane dhe vëzhguesit e zgjedhjeve njoftojnë se ka pasur një numë rekord të votimeve të hershme, me një pjesëmarrje të madhe të pazakontë të votuesve hispanikë, që duket se i kanë dhënë përparësi Clintonit.

Agjencia AP njoftoi se të paktën 43.2 milionë njerëz tashmë kanë votuar më 7 nëntor dhe pritet që numri i votuesve të hershëm – pasi të jetë përmbyllur – të arrijë deri në mbi 50 milionë në këto zgjedhje.

Kjo do të thotë se afro 40 për qind e votuesve amerikanë kanë votuar deri tani përpara fillimit të ditës së zgjedhjeve më 8 nëntor, shkruan AP. Nivele rekorde të votuesve të hershëm janë njoftuar nga 23 shtete, përfshirë edhe distriktin e Columbia.

Në orën 12, sipas kohës evropiane, vendvotimet janë hapur në nëntë shtete të bregut lindor, ndërsa tashmë në tri fshatra të vogla zgjedhjet kanë përfunduar.

Vendovotimet janë hapur në Konektikat, Indiana, Kentaky, Main, Nju Hempshër, Nju Xherzi, Nju Jork, Vermont dhe Virxhinia.

Një numër rekord i amerikanëve, më se 46 milionë, tashmë kanë votuar me postë apo në kuadër të votimeve të hershme.

Kandidatja demokrate, Hillary Clinton, sot në ditën e zgjedhjeve, ka hyrë me një epërsi në pjesën më të madhe të hulumtimeve të opinionit në krahasim me kandidatin republikan, Donald Trump.

Pritet se rezultatet e para të zgjedhjeve të sotme presidenciale do të fillojnë të paraqiten nesër në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës evropiane.

Fituesi do të bëhet presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe do të inaugurohet më 20 maj, duke e zëvendësuar presidentin aktual, Barack Obama, që ishte presidenti i parë afrikano-amerikan.

Si zgjidhet Presidenti – Vota dhe Kolegji Zgjedhor

Miliona amerikanë që do të votojnë në zgjedhje do të tregojnë emrin e kandidatit që ata e mbështesin. Por, në fakt, rezultati do të përcaktohet nga një kompozicion prej 538 anëtarësh të Kolegjit Zgjedhor që formalisht do të zgjedhin presidentin e ri.

Votën elektorale e kanë zbuluar me 1787 autorët e Kushtetutës së SHBA-së si një kompromis ndërmjet atyre që donin votim të drejtpërdrejt të popullit dhe atyre që dëshironin që Kongresi ta zgjedh Presidentin.

Një prej synimeve ishte që të mbrohen të drejtat e shteteve të më të vogla dhe të parandalohej dominimi i atyre me popullatë më të madhe mbi ato me më të vogël.

Prandaj sot, secila prej 50 shteteve amerikane ka numrin e njëjtë të votave elektorale, siç kanë edhe numër të njëjtë të anëtarëve të Kongresit.

California, shteti më i populluar amerikan, ka 2 senatorë dhe 53 përfaqësues, kështu që merr 55 vota elektorale.

Shtetet më të vogla kanë tre zgjedhës: dy për senatorë amerikanë dhe nga një për përfaqësues.

Uashington DC është një distrikt i veçantë federal, dhe jo shtet, prandaj edhe nuk ka asnjë senator e as edhe përfaqësues në Kongresin e SHBA-së. Por, sipas amendamentit 23 të Kushtetutës së SHBA-së, Distriktit Columbia i janë ndarë tri vota elektorale në mekanizmin zgjedhor.

Për t’u zgjedhur President, kandidatit i nevojitet mbështetja e një shumice të thjeshtë të votave elektorale. Aktualisht, për sigurimin e fitores nevojiten më së paku 270 vota elektorale.

Nëse votimi elektoral është i ngushtë, Dhoma e Përfaqësuesve është e autorizuar që ta zgjedh presidentin. Të vetmen herë kur Dhoma e Përfaqësuesve e mbivotoi votimin elektoral ishte më 1800, kur numri i votave elektorale të Thomas Jeffersonit ishte i njëjtë me ato të Aaron Burr. Dhoma e Përfaqësuesve zgjodhi Jeffersonin për president.

Faktori Kolegji Zgjedhor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk zgjidhet nga vota popullore, por nga votat e asaj që njihet si Kolegj Zgjedhor, i cili përbëhet nga 538 “zgjedhës” individual presidencial. Për të fituar në zgjedhje, kandidati duhet t’i ketë së paku 270 vota të këtij kolegji.

Secili shtet e ka të fiksuar numrin e anëtarëve të Këshillit Zgjedhor dhe është i barabartë me numrin e anëtarëve të zgjedhur të shtetit në Kongres. Ky numër është i bazuar në madhësinë e popullatës. Në Kaliforninë e banuar në mënyrë të dendur, për shembull 55 legjislatorë e përfaqësojnë shtetin në Kongres. Pra, Kalifornia i ka, po ashtu, 55 vetë në Kolegjin Zgjedhor.

Nga ana tjetër, Alaska, me popullatë të vogël, i ka vetëm tre legjislatorë në Kongres dhe rrjedhimisht tre anëtarë në Kolegjin Zgjedhor.

Por, ka ndodhur që Kolegji Zgjedhor të jetë kundërthënës, pasi mund ta zgjedhë kandidatin, që e ka humbur votën popullore.

Kjo ka ndodhur në vitin 2000 kur kandidati demokrat, Al Gore, ka fituar më shumë vota, por në Kolegjin Zgjedhor nuk e fitoi shumicën.

Atë vit, president u shpall, George W. Bush, me 271 vota të Kolegjit Zgjedhor, derisa Gore i kishte vetëm 266. Kjo kundërthënie ka ndodhur edhe dy herë në shekullin e XIX.

Në vitin 1876, kur kandidati republikan Rutherford B. Hayes u zgjodh president, demokrati Samuel Tilden u bë i vetmi kandidat presidencial amerikan që ka marrë më shumë se 50 për qind të votave të trupit zgjedhor, por humbi për shkak të votave elektorale. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG