Ndërlidhjet

logo-print

Britania e sheh Kosovën si forcë stabiliteti në Ballkan 


Kosova mund të jetë shembull i ndërtimit të shtetit dhe demokracisë, ka deklaruar sot në Prishtinë, ministri britanik për Punë të Jashtme, Boris Johnson. Këto komente ai i ka bërë gjatë një seance solemne të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.

Ai tha se ndihej i lumtur që pas 17 vitesh ishte kthyer në Kosovë, në shtetin e pavarur, në demokracinë më të re evropiane.

Sekretari i britanik është shprehur i impresionuar me përparimet e shënuara në Kosovë, nga një vend që ai e mbante në mend për vuajtjet e shumta që kishte kaluar, në një shtet që po ndërtohet në partneritet me Perëndimin.

“Mendoj se Kosova mund të jetë shembull i ndritshëm dhe fuqishëm për të tjerët, për atë që ka arritur deri më sot. Ndihem krenar që Britania e Madhe ishte ndër vendet e para që e kishte njohur Kosovën më 2008”, ka thënë Johnson.

Tani kur Kosova është shtet i pavarur me institucione të zgjedhura, Johnson tha se, përveç zhvillimit të brendshëm, angazhimi duhet të përqendrohet edhe në luftën e përbashkët kundër kërcënimeve globale.

“Kemi një sfidë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër ekstremizmit të dhunshëm, kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar dhe në duhet t’i luftojmë këto kërcënime së bashku”, ka thënë Johnson.

Tutje, sekretari britanik u ka bërë thirrje ligjvënësve dhe autoriteteve qeverisëse në Kosovë që të mos heqin dorë nga reformat, të forcojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe të angazhohen për marrëdhënie të mira me Serbinë, duke tejkaluar kështu historinë e dhimbshme që mbetet prapa.

“Kur flasim për rajonin në përgjithësi, Britania dëshiron që Kosova të jetë një forcë e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe kjo duhet të përfshijë arritjen e një marrëdhënie normalizimi me Serbinë dhe unë jam duke iu gëzuar diskutimit të këtyre çështjeve në Beograd, gjithashtu”, ka thënë Johnson.

Njëherësh, Johnson ka ngushëlluar familjen Dehari dhe ka kërkuar hetime të pavarura për ndriçimin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

Në vazhdim, sekretari Johnson është shprehur i entuziazmuar me faktin që një vend i vogël si Kosova ka një kampione olimpike si Majlinda Kelmendi dhe shumë yje të muzikës me famë botërore, që adhurohen shumë në Britani.

Në Prishtinë, Sekretari Boris Johnson u prit nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky i fundit i ka shprehur mirënjohje Britanisë së Madhe për angazhimin dhe ndihmën e dhënë, jo vetëm për çlirimin, por edhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

“Britania e Madhe ka qenë gjithmonë pranë Kosovës. Emri i saj është i lidhur në mënyrë të pandashme me historinë e lirisë dhe pavarësisë sonë”, ka thënë Veseli.

Ministri britanik ka marrë pjesë lansimin e projektit "Përkrahje për zhvillimin e partive politike”, si pjesë e mbështetjes së zhvillimit të demokracisë në Kosovë (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG