Ndërlidhjet

Mjekët kërkojnë kategorizimin e pagave 


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Ligji për pagat mbetet një nga prioritetet e vazhdueshme ligjore, por që nuk është miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Mungesa e këtij ligji e mban të padefinuar nivelizimin e pagave.

Si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë “vuan” nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave.

Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, të gjithë mjekët specialistë, pavarësisht në çfarë fushe punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 euro në muaj.

Kjo vlen edhe për infermierët, të cilët paguhen nga rreth 400 euro në muaj, pavarësisht se në cilin sektor shëndetësor punojnë.

Profesionistë shëndetësorë e vlerësojnë këtë gjendje si jo të drejtë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiu, i tha Radios Evropa e Lirë se kategorizimi i pagave duhet të ndodhë, pasi, siç thotë ai, përgjegjësia në punën e mjekut varet nga lëmia që ai ka specializuar.

“Në sektorin e shëndetësisë dallojnë punët. Aty ku punohet më shumë ka përgjegjësi dhe rrezikshmëri më të lartë, duke përfshirë edhe dëmtimin e shëndetit të mjekut, dhe mu këtu ekzistojnë disa përfitime, si pushimi më i zgjatur, stazhi etj. Por, sa u përket pagave, mendoj se duhet të bëhet kategorizimi. Si shembull konkret e kemi kardiologjinë invazive, ku ka rrezatim”, ka thënë Sejdiu.

Gjatë hulumtimeve të bëra nga organizata të ndryshme, del se një mjek specialist ka kërkuar ta ketë pagën e një deputeti, në mënyrë që të punojë vetëm në sektorin publik.

Ndryshe, 120 deputetë të Kuvendit të Republikës se Kosovës marrin pagë mujore mbi 1,500 euro në muaj, derisa gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, thotë se ligji për pagat - ndonëse është i gatshëm tash e tre vjet - ende nuk është proceduar për miratim.

“Kategorizimi i pagave është shumë i nevojshëm, pasi bëhet edhe sistematizimi i vendeve të punës. Afërsisht ka tri-katër vite që ligji për paga është i gatshëm dhe ende nuk e kanë proceduar. Mendoj se është shumë i rëndësishëm, pasi përcakton edhe kategorizimin e pagave”.

“Ne, si Qendër Klinike Universitare e Kosovës, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, e kemi formuar një komision për rrezikshmërinë në punë e që jemi duke punuar në të, dhe është në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë", ka thënë Selmani.

Ndryshe, edhe Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se punëtorët shëndetësorë duhet të kenë vlerësim real, në mënyrë që të stimulohet puna e tyre.

Federata ka kërkuar që të bëhet ligji për pagat për sektorin e shëndetësisë, pasi kjo është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian.

Këto tri vitet e fundit, nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, duke kërkuar punë dhe kushte më të mira në vendet e Bashkimit Evropian e më gjerë.

Sipas hulumtimeve që ka bërë Federata Sindikale e Shëndetësisë, njëra nga arsyet e ikjes së mjekëve nga Kosova është paga e pamjaftueshme, sidomos te ata të fushës së kirurgjisë, emergjencës e mjekimit intenziv.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se çështja e nivelizimit të pagave do të rregullohet me ligjin e pagave.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri, flet për format me të cilat është e zgjidhur tash për tash kjo çështje.

“Çështja e pagave në sektorin shëndetësor është e zgjidhur në dy aspekte. Ata që janë shërbyes civil dhe në administratë paguhen sipas Ligjit për Shërbimin Civil. Ndërsa, ata që punojnë dhe ofrojnë shërbime shëndetësore paguhen sipas Ligjit të Punës”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e interesuar të sheh sa më parë një ligj i cili do të rregullonte në formë lineare çështjen e pagave.

Por, sipas tij, sponsorizuese e e një ligji të tillë është një ministri tjetër në Qeverinë e Kosovës. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG