Ndërlidhjet

Vërshimet, pasojë e degradimit të lumenjve 


Ilustrim
Ilustrim

Degradimi i shtretërve të shumë lumenjve në Kosovë, po ndikon në rritjen e rreziqeve nga vërshimet. Reshjet e shiut, tashmë po krijojnë probleme të shumta duke rritur nivelin e ujit, çka si pasojë sjellë vërshime në rajone të ndryshme të vendit.

Vërshime të tilla këto ditë kanë ndodhur në komunën e Gjakovës, të shkaktuar nga ujërat e lumenjve Ereniku, Drini i Bardh, Krena, si dhe në komunën e Malishevës nga lumi Mirusha.

Zyrtarë të institucioneve konsiderojnë se nëse nuk merren masa për përmirësim, situata aktuale e lumenjve, paraqitet rrezik të përhershëm për sezonin e vjeshtës dhe të dimrit.

Litafete Latifi, drejtoreshë në Institutin Hidrometerologjik të Kosovës, institut ky që bën monitorimin e lumenjve në Kosovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fajtori kryesor për degradimin e lumenjve është faktori njeri.

Sipas monitorimit të këtij instituti, nivel më të lartë të ujit ka lumi Drini i Bardh.

“Është problem, jo vetëm sasia e reshjeve, por problematike paraqitet edhe infrastruktura e lumenjve. Do të thotë se ka lumenj që shtretërit e tyre nuk janë në gjendje të mirë, për shkak se vetëdijesimi i popullatës nuk është në nivel të duhur. Hidhen mbeturina, bëhen ndërtime në afërsi të lumenjve, ku ngushtohen edhe shtretërit e tyre dhe paraqesin problem”, ka thënë Latifi.

Edhe ekspertë të Agrometeorologjisë, shprehin shqetësimin sa i përket derdhjes së ujërave të ndotura në lumenj dhe liqene.

Profesori i Agrometeorologjisë në Fakultetin e Bujqësisë, Sylë Tahirsylaj, ka thënë se lumenjtë janë ngufatur nga papastërtia, pikërisht nga faktori njeri.

Tahirsylaj, thotë se 99 për qind e lumenjve në Kosovë janë të shpejtë, të cilët e lëshojnë territorin e Kosovës, por degradimi i tyre ka bërë që të dalin nga shtrati.

“Shtretërit e lumenjve janë të degraduar nga nxjerrja e zhavorit dhe ndërtimit pa leje në autoritetin e shtretërve të lumenjve. Ky është një fenomen, ujërat grumbullohen në shumë pika, dalin mbi sipërfaqe dhe dëmet janë të pranishme”, thekson Tahirsylaj për Radion Evropa e Lirë.

Lumenjtë në Kosovë janë më të ndoturit në rajon, thotë Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit, (REC).

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Bektashi thotë po ashtu se në Kosovë nuk ekziston asnjë fabrikë për trajtimin e ujërave të zeza.

“Një fabrikë e cila është në ndërtim ndodhet në Prizren, edhe një tjetër do të filloj të ndërtohen në në Gjakovë, mirëpo kjo do të merr kohë. Kurse pjesa tjetër e Kosovës, unë nuk e di a ka në plan për fillimin e ndërtimeve”.

“Në mungesë të ndonjë impinati të gjitha ujërat, nga të gjitha qytetet, derdhen nëpër lumenj. Ky është një kontaminim enorm”, ka thënë Bektashi.

Nëse nuk intervenohet në mirëmbajtjen e lumenjve, rreziku për vërshimevazhdimisht është permanent, thonë zyrtarë qeveritar. Ata shprehen se autoritet kompetente kanë investuar në këtë fushë, por që nuk është arritur që të riparohen apo mirëmbahen të gjithë lumenjtë e Kosovës. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG