Ndërlidhjet

SHBA: Vazhdojnë protestat kundër Trumpit


Protestat kundër Donald Trumpit për president.
Protestat kundër Donald Trumpit për president.

Mijëra vetë kanë dalë edhe të shtunën mbrëma në rrugët e qyteteve në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të protestave kundër zgjedhjes së Donald Trumpit për president amerikan.

Disa mijëra njerëz kanë marshuar rrugëve të qendrës së Çikagos, duke brohoritur “Jo urrejtje, jo frikë, imigrantët janë të mirëseardhur këtu”.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump është angazhuar kundër migrantëve, myslimanëve dhe grupeve të tjera, duke shkaktuar frikë se administrata e tij do të ndërmerr masa të ashpra kundër këtyre kategorive të njerëzve.

Në Menhetën të Nju Jorkut, afro 2 mijë vetë kanë brohoritur: “Nuk është president imi”, derisa kanë marshuar drejt selisë së Donald Trump.

“Nuk është president imi! Ne e refuzojmë presidentin e zgjedhur”.

“Donald Trump, largohu – racist, seksist, kundër homoseksual”, brohorisnin protestuesit.

Nuk është raportuar për trazira ose dhunë.

Policia ka ngritur barrikada para disa bizneseve përgjatë Avenysë së Pestë në Nju Jork, ku gjenden disa nga shitoret më të shtrenjta në qytet.

Nigel Farage, politikan britanik, i cili e pati udhëhequr lëvizjen që çoi në largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, është parë gjatë rrugës së tij nëpër masë për ta vizituar Donald Trumpin, në selinë e tij.

Në qendër të Los-Anxhelosit, disa mijëra protestues kanë brohoritur, duke i valëvitur flamujt dhe duke e kritikuar retorikën zgjedhore të Trumpit për imigrantët dhe komentet e tij të vrazhda për femrat.

Në intervistën e tij të parë për media prej zgjedhjeve të 8 nëntorit, ku triumfoi kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton, Donald Trump është pyetur nga e përditshmja Wall Street Journal, nëse ai mendon se retorika e tij ka shkruar larg.

Trump është përgjigjur në mënyrë të prerë: “Jo. Unë fitova”.

Zoti Trump, i cili fillimisht, i kishte denoncuar protestuesit si “profesionistë” që ishin “nxitur” nga mediet, e ka ndryshuar qëndrimin dhe para dy ditësh protestuesit i ka lavdëruar.

Gjatë natës së fundit në Portland të Oregonit, mijëra vetë janë tubuar në protesta kryesisht paqësore.

Por, ka pasur edhe dhunë, kur një demonstrues është plagosur, por jeta e tij nuk është në rrezik.

Policia në këtë qytet i ka arrestuar katër vetë lidhur me këtë të shtënë nga arma dhe ka njoftuar se gjithsej 17 vetë janë arrestuar prej fillimit të protestave më herët këtë javë.

Në Majami, disa mijëra aktivistë kanë marshuar nëpër qendër të qytetit, ndërsa disa qindra kanë depërtuar në një autostradë duke e ndalur trafikun në të dy drejtimet.

Disa prej protestuesve, kanë filluar të mbledhin nënshkrime për peticion, duke kërkuar nga Kolegji Elektoral, që ta zgjedhë kandidaten demokrate, Hillary Clinton, për presidente, e jo Donald Trumpin.

Ata argumentojnë se meqë Clinton e ka fituar votën popullore, por jo shumicën e Kolegjit Elektoral, ajo faktikisht do të duhej të ishte presidente.

Por, Kolegji Elektoral është institucion i paraparë me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, që ka për qëllim balancimin e peshës zgjedhore në shtetet me popullatë më të madhe, siç është Nju Jorku, me shtetet rurale, e me më pak banorë, siç është Kanzasi.

Në disa zgjedhje presidenciale në historinë e Shteteve të Bashkuara, fituesit e kanë humbur votën popullore, por e kanë fituar votimin në Kolegjin Elektoral, siç ka ndodhur së fundit në vitin 2000, kur president u zgjodh, George Bush i riu.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG