Ndërlidhjet

Bullgaria dhe Moldavia zgjedhin presidentë të afërt me Rusinë 

  • RFE /RL

Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev (djathtas) gjatë një bisede me presidentin e zgjedhur, Rumen Radev, 14 nëntor 2016

Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev (djathtas) gjatë një bisede me presidentin e zgjedhur, Rumen Radev, 14 nëntor 2016

Bullgaria po përballet me paqartësi politike me dorëheqjen e kryeminstrit të vendit pas rezultatit të zgjedhjeve që tregojnë se partia e tij ka humbur rëndë në raundin e dytë në zgjedhjet presidenciale.

Dorëheqja e Boiko Borisovit, kryeministër i vendit, erdhi pikërisht në kohën kur rezultatet treguan se kandidati socialist pro Moskës, Rumen Radev, një ish komandant i forcave ajrore, pa një përvojë politike, i fitoi zgjedhjet.

"E pranojmë vullnetin e qytetarëve dhe i urojmë ata që kanë fituar mbështetjen e shumicës së votuesve”, tha Borisov pak orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Me zgjedhjet e përfunduara dhe votat e numëruara, Radev udhëheqë me mbi 59 për qind, ndërkohë kandidatja e partisë GERB në pushtet, Tsetska Tsacheva, ka marrë mbi 36 për qind.

GERB ka dominuar në politikën bullgare gjatë një dekade dhe Borisov u rizgjodh në dy mandate.

Radev e cilësoi rezultatin si “një votë negative për qeverinë që çon drejt një situate të re politike”.

Analistët thonë se Radev arriti që të marrë votat e bullgarëve të zemëruar me korrupsionin në mesin e klasës politike në vend.

Ai bëri thirrje për masa të ashpra për të ndaluar hyrjen e migrantëve gjatë një vale të euroskepticizmit gjithandej Evropës Qendrore dhe Lindore.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Radev bëri thirrje për lidhje më të mira me Rusinë, duke e vënë gjendjen në Detin e Zi në kundërshtim me aleatët e saj të NATO-s dhe BE-së.

Radev, që dikur ka studiuar në Kolegjin Ajror të SHBA-së në Alabama, është zotuar që ta mbajë vendin e Bullgarisë në NATO, por ka thënë gjithashtu se “pro-europianizmi nuk do të thotë të jesh anti-Rus”.

Radev ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të veprimeve të Kremlinit në Ukrainë, përfshirë edhe mbështetjen për separatistët atje, dhe aneksimin e Krimesë, gjë që ka shqetësuar shumë analistët me faktin nëse “Bullgaria tani do të afrohet më shumë me Moskën”.

Njëkohësisht me zgjedhjet në Bullgari janë zhvilluar edhe zgjedhjet në Moldavi, një shtet që ka patur synime për anëtarësim në BE. Në zgjedhje, sipas rezultateve pothuaj përfundimtare, ka fituar kandidati pro-rus Igor Dodon, në raundin e dytë.

Dodon udhëheqë me mbi 52 për qind të votave ndaj kandidates pro evropiane, Maia Sandu që ka marrë mbi 47 për qind të votave.

Dodon, udhëheqës i partisë Socialiste, më heret tha në një konferencë me gazetarë se do të jetë president i të gjithë moldavëve “edhe i atyre që mbështesin bashkimin me BE-në, por edhe i atyre që duan lidhje më të ngushta me Rusinë”.

Ai kërkoi nga kundërkandidatja e tij që të ndihmojë “të qetësohet” shoqëria.

Probleme me votimet u shfaqën në ambasada dhe konsullata jashtë vendit, në Londër, Bukuresht, Bolgna, Moskë dhe në qytete të tjera, për shkak se zyrtarët e zgjedhjeve nuk dërguan fletvotime të mjaftueshme.

Dodon dëshiron që të ndryshojë lëvizjen e vendit drejt integrimeve evropiane, që përfshinë edhe marrëveshjen historike për bashkim të nënshkruar më 2014, përkundër kundërshtimit të fortë nga Rusia.

Ai është kritikuar në Ukrainë për shkak të deklarimit të tij se Krimea, e aneksuar nga Rusia më 2014, është territor rus.

Në një intervistë telefonike me transmetuesin rus, Rossiya 24, Dodon tha se “votuesit janë të bashkuar dhe votuan për miqësinë me Rusinë, për neutralitet dhe për ortodoksinë tonë e bashkimin e vendit”.

Ai tha se angazhohet për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm, dhe nuk do të pres deri në vitin 2018, për ta larguar qeverinë aktuale që favorizon lidhjet me BE-në.

Kryeministri aktual, Pavel Filip, tha se qeveria dhe presidenti i ri do të duhet të punojnë së bashku për interesa më të mira të vendit, duke shtuar se rruga drejt integrimit në BE “nuk mund të kthehet prapa”.

Moska, ndërkaq, druan nga një lëvizje e Moldavisë më afër BE-së, e ngjashme me atë që ndodhi në Ukrainë më 2014.

Rusia ka rreth 1,000 trupa të saj të stacionuara në territorin e kundërthënshëm të Transdniester, kryesisht të populluar me rus-folës, që u shkëput nga Modavia pas një lufte të shkurtër, me ç’rast u vranë disa qindra njerëz.

Moldavia është një nga vendet më të varfëra evropiane dhe kushtet ekonomike në vend janë përkeqësuar që prej trazirave që shpërthyen gjatë vitit 2014, kur afro 1 miliard dollarë – rreth 10 për qind e GDP (të ardhurave për kokë të banorit) së vendit – u zhdukën nga tri banka.

Gjatë kësaj jave, Fondi Monetar Ndërkombëtar aprovoi rreth 180 milionë dollarë kredi për mbështetje të Moldavisë – duke thënë se reformat qeveritare dhe një ekonomi më e fortë e kanë forcuar sektorin bankar. (REL)

Përgatiti: Arbër Vllahiu

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG